A duhet Albin Kurti ta rikthejë reciprocitetin me Serbinë?

 A duhet Albin Kurti ta rikthejë reciprocitetin me Serbinë?

Shkruan Faton Mehmeti:

Ishte Ramush Haradinaj ai që ia pati vendosur Serbisë tarifën 100 %, e cila pastaj u kthye në reciprocitet nga qeveria Kurti. Ndonëse një gjë e tillë ishte kërkuar që të zhbëhet, Albini nuk e bëri, vetëm ish kryeministri Hoti arriti që të hiqte fare reciprocitetin me Serbinë: si shenjë e vullnetit të mirë nga Kosova”.

Megjithatë, edhe pse është bërë pothuajse një vit që kjo ka ndodhur, gjërat nuk duket se kanë ecur mirë për Kosovën. Tani, me rikthimin e qeverisë Kurti, nuk po përjashtohet mundësia që të rikthehet reciprociteti me Serbinë, meqenëse pala serbe nuk ka përmbushur obligimet për të cilat ishte zotuar.

Një gjë të tillë e ka përmendur kohët e fundit edhe kryeministri Albin Kurti, një paralajmërim që sipas tij “do të vendoset në kohën e duhur “ , duke nënkuptuar se kjo do të ndodh në një të ardhme jo edhe të largët. Ka shumë që një gjë të tillë e mbështesin, ka edhe nga ata që nuk e mbështesin aq shumë, në këtë rast mendoj se të dyja palët kanë të drejtë deri në një masë të caktuar.

Së pari, duhet theksuar se Serbia e meriton 100 % që të rikthehet reciprocitetit, meqenëse s’ka treguar respekt për zotimet e saja, përkundrazi ka vazhduar që të punojë kundër interesave të Kosovës, duke e penguar atë që të bëhet pjesë e organizatave të rëndësishme botërore.

Në anën tjetër, një vendim i tillë do të sillte një ofensivë të madhe të Serbisë ndaj Kosovës, duke përdorur si shkas këtë që të vazhdonte edhe më shumë ofensivën kundër njohjeve. Në këtë rast, mendoj se qeveria Kurti një gjë të tillë duhet të bëjë vetëm një bashkëpunim me SHBA-të, ndryshe çdo vendim pa bashkëpunimin dhe aprovimin e SHBA-ve, përkundër që është i drejtë, s’do të ishte shumë në interes të Kosovës.

Prandaj, qeveria Kurti duhet që shumë të jetë e vëmendshme në një rast të tillë. Qeveria, jo vetëm kjo e tanishme, por edhe kushdo që do të vjen pas saj, duhet të ketë si fokus kryesor zhvillimin e bujqësisë, zhvillimin e agro kulturës në vendin tonë, si katalizatori kryesor për zhvillimin e shtetit, krijimin e vendeve të punës, mbi të gjitha që të mbajë të rinjtë në Kosovë.

Kot i vendos reciprocitet Serbisë derisa nuk mbështet prodhimet vendore, në këtë mes qytetarët janë të detyruar që të konsumojnë prodhime të huaja. Pavarësisht se reciprociteti me Serbinë dhe tarifa 100 % u vendos, mallrat nga Serbia kanë hyrë në Kosovë në forma dhe mënyra tjera. Pra, kjo është më tepër konsum politik se ndihmës që i bëhet bujkut, ekonomisë së vendit tonë. Ka shumë nevojë bujqësia, prodhimtari që të zhvillohet, atëherë s’ka nevojë fare t’i vendos Serbisë reciprocitet, në momentin kur prodhimet tona janë të cilësisë askush nuk i blen ato nga Serbia dhe kështu vetvetiu ato e humbasin tregun këtu. Reciprocitetin e meriton Serbia, mirëpo duhet kujdes që kjo të bëhet në bashkëpunim me SHBA-të, të përcaktohet se cilat efekte mund të jenë dhe mbi të gjitha të dihet se çfarë pritet të përfitojë Kosova nga kjo, përfitim të qytetarëve dhe jo poenë politikë.

TË NGJASHME