A është i sigurt udhëtimi me autobus?

 A është i sigurt udhëtimi me autobus?

Aksidenti tragjik që ndodhi të martën, më 23 nëntor, me një autobus të Maqedonisë së Veriut në një autostradë të Bullgarisë, ku për pasojë humbën jetën 45 pasagjerë, shtetas të Maqedonisë së Veriut, nuk është i pari i kësaj natyre për Maqedoninë e Veriut.

Një aksident me pasojë vdekjen e 15 personave është regjistruar më 13 shkurt të vitit 2019 në autostradën Shkup-Gostivar, afër fshatit Llaskarcë. Një vit para këtij aksidenti kishte ndodhur edhe një tjetër në Serbi, kur një autobus kishte dalë nga rruga, por përveç të lënduarve, njerëz të vdekur nuk pati.

Aksidentet e tilla kanë ngritur dilemën tek opinioni në Maqedoninë e Veriut nëse transporti me autobusë është i sigurt dhe sa po bëjnë institucionet për kontrollin e tyre teknik dhe sa prej tyre janë të pajisur me leje përkatëse për transport ndërkombëtar.

Agjencia turistike “Besa Trans”, që kishte në pronësi autobusin e aksidentuar në autostradën “Struma”, 38 kilometra nga Sofja në drejtim të Maqedonisë së Veriut, me datë 23 nëntor, kishte leje për transport për vetëm tre autobusë, por jo edhe për të katërtin që u përfshi në aksident.

Të enjten, më 25 nëntor, Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut ia ka marrë licencën për transport të pasagjerëve agjencisë “Besa Trans”, pasi një autobus i saj shkaktoi aksidentin tragjik më 23 nëntor në Bullgari ku vdiqën së paku 45 persona, ndërsa shtatë të tjerë morën lëndime trupore.

Ministria e Transportit ka konstatuar se autobusi nuk posedonte lejen për transport ndërkombëtar.

“Bazuar në nenin 12 të Ligjit për transportin e udhëtarëve, sigurimit të të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj vepre tjetër nga ana e kompanisë, me pasoja për pasagjerët, kompanisë ‘Besa Trans BTB’ i merret licenca, përkatësisht i ndalohet veprimtaria e transportit të udhëtarëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transportit.

Nëse hetimi konstaton fajësinë për aksidentin e autobusit në Bullgari, përgjegjësi do të mbajë vetëm pronari i agjencisë “Besa Trans” dhe ndoshta persona të tjerë të përfshirë dhe jo kompania, sepse ligji nuk parashikon përgjegjësi penale për personat juridikë.

Neni 6 i Ligjit për transport rrugor në Maqedoninë e Veriut parasheh që me rastin e kryerjes së transportit të udhëtarëve dhe mallrave në komunikacionin rrugor të brendshëm dhe ndërkombëtar, transportuesi është i obliguar që të ketë licencë dhe leje për kryerjen e transportit në komunikacionin rrugor.

Neni 11 i Ligjit thotë se transportuesi mund të fillojë transportin e udhëtarëve dhe mallrave në komunikacionin rrugor të brendshëm dhe ndërkombëtar pas marrjes së licencës dhe certifikatës.

Autobusët në bazë të Ligjit për komunikacionin rrugor duhet t’u nënshtrohen kontrolleve të detajuara, por nga Enti Republikan për Komunikacion Rrugor në Maqedoninë e Veriut, nuk japin detaje nëse autobusi i aksidentuar, apo edhe autobusët e tjerë u përmbahen kontrolleve që kërkohen me ligj.

Spasovski: Autobusi kishte bërë kontrollin teknik
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha të martën se autobusi kishte bërë kontrollin teknik.

“Ajo që mund të them për momentin është se autobusi kontrollin e fundit e ka bërë më 5 tetor të vitit 2021. Por, procedura hetimore do të japë përgjigje për të gjitha pyetjet e hapura lidhur me gjendjen teknike të automjetit “, ka deklaruar Spasovski.

Nikolla Dujovski, dekan në Fakultetin e Sigurisë në Shkup, thotë se kontrolli i detajuar i automjeteve, por edhe gjendja e tyre e përgjithshme, përfshirë edhe vitin e prodhimit, kanë rëndësi të madhe për lëshimin e tyre në komunikacion.

“Neve na mungon kultura në komunikacion dhe të gjithë duhet të angazhohemi për ngritjen e ndërgjegjes pasi kemi të bëjmë me çështje shumë të ndjeshme, kemi të bëjnë me jetë njerëzish”.

“Automjeti transportues është faktori kyç në këtë rast. Vjetërsia e automjeteve këtu te ne, por ndoshta edhe në rajon, është shumë më e madhe se sa ajo në vendet e Bashkimit Evropian. Mbase urgjentisht duhet të miratohen zgjidhje ligjore që do të përcaktonin vitet e autobusëve që duhet të lejohen të lëvizin në komunikacion apo të bëjnë transport ndërkombëtar. Me rëndësi të madhe është edhe cilësia e ngasësve. Ne nuk kemi trajnim të shoferëve të autobusëve. Ata duhet të jenë profesionistë dhe jo shoferë pa përvojë”, ka deklaruar profesori Nikolla Dujovski.

Sipas Ligjit, nëse transporti kryhet nga një shofer, ai duhet të ketë 45 minuta pushim në çdo katër orë e gjysmë ngasje dhe nëse transporti kryhet në mbrëmje, çdo tri orë e gjysmë duhet të bëhet pushim.

Jozyrtarisht, agjencia “Besa Trans” edhe në këtë drejtim nuk i ka plotësuar kushtet, pasi për katër autobusët duhej të kishte të paktën tetë shoferë.

Biljana Muratovska nga agjencia transportuese “Makamtrans”, thotë se institucione duhet të mendojnë seriozisht edhe për kthimin në shkollat profesionale të drejtimit të shoferit, ashtu siç ka ekzistuar më parë.

“Ne, disa herë kemi kërkuar, si nga kjo qeveri apo edhe ato të mëparshmet që të kthejnë drejtimin e shoferëve në shkolla, pasi vetëm shoferët profesionistë janë ata që mund të bëjnë transportin e udhëtarëve, por edhe të mallrave, me të cilin merremi ne si shoqatë transportuese. Duhet që me ligj të përcaktohet qartë se transporti nuk mund të bëhet vetëm nga një shofer. Duhet të ketë kritere të rrepta edhe për kontrollet teknike të automjeteve”, thotë Muratovska.

Qeveria, ndërkohë, ka autorizuar Inspektoratin Shtetëror të Transportit që të bëjë një inspektim të jashtëzakonshëm në agjencinë “Besa Trans”, pas çka do të duhet të përcaktohet nëse automjetet e saj kanë vepruar në përputhje me ligjin për transport ndërkombëtare. Detaje mbi gjendjen teknik të autobusit pritet të publikojnë edhe hetuesit bullgarë, edhe pse hetimi, sipas tyre, mund të zgjasë disa muaj, në veçanti për shkaktarët e aksidentit.

TË TJERA