Analistët që aderuan në VV e PDK

 Analistët që aderuan në VV e PDK

Derisa vendi pas një muaji do të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme, disa analistë u radhitën përkrah partive politike. Tre prej analistëve, Faton Abdullahu, Arben Fetoshi e Ardian Kastrati aderuan në Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa Ardian Gola e Armend Muja aderuan në Lëvizjen Vetëvendosje.

Disa nga analistët kanë vendosur që në këto zgjedhje, që do të mbahen më 14 shkurt të jenë përkrahë partive që ata mendojnë se do ta çojnë vendin përpara.

I pari që aderoi në Partinë Demokratike të Kosovës ishte Faton Abdullahu, i cili u mirëprit nga kryetari në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj. E arsyeja e këtij vendimi sipas tij është se PDK-ja më së miri i përafron shqiptarët.

“Familja ime ka pasur histori të fortë kombëtare. Kosovacentrizmi është mirë që të zhvillohet shteti, por përafria me shqiptarët e të gjitha trevave ka bërë që unë t’i bashkohem këtij subjekti. Pashë dëshirë për afrim me Shqipërinë. PDK më së miri e bashkëdyzon ksovocentrizmin me përafrinë mes shqiptarëve”, tha Abdullahu në Pressing pas aderimit të tij në PDK.

Pas Abdullahut, kësaj partie iu bashkangjit edhe analisti Ardian Kastrati, i cili tha se PDK-ja i kishte bërë ftesë 21 vite më parë, por që ai iu përgjigj sot, pas 20 vitesh.

Pjesë e PDK-së u bë edhe profesori Arben Fetoshi. Ndërkaq Fetoshi ka thënë se vendimi për t’iu bashkuar PDK-së ishte i vështirë, por sipas tij, i drejtë, duke shtuar se i ka qëllimet e njëjta ashtu siç i ka edhe PDK-ja.

Përveç në PDK, aderime pati edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, ku dy analistë të tjerë iu bashkuan kësaj partie.

Anipse, Armend Muja, rreth dy javë më parë për Express pati mohuar se janë duke negociuar për futjen në listën e VV-së, si kandidat për deputet, sot kryetari i kësaj partie, Albin Kurti i uroi atij mirëseardhje në partinë e tij.

“Me Armendin njihemi qëmoti, por nga sot, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE”, ka shkruar sot Kurti në Facebook.

Po ashtu, Muja njihet edhe për përkrahjen që i ka bërë LVV-së në paraqitjet e tij publike.

E kësaj partie iu shtua edhe një figurë tjetër, një profesor universitar e analist politik.

Ardian Golës dje iu urua mirëseardhje në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ardian Gola është prej atyre profesorëve, të cilët nuk mjaftohen me rehatinë e kolltuqeve akademike. Ai nuk ka qëndruar indiferent ndaj padrejtësive të shumta të pushtetit të korruptuar. Përkundrazi, luftën e pakompromis për drejtësi Gola e ka zhvilluar përmes angazhimit të tij publik si kritik social. Gjithnjë e kemi ditur se rrugët tona një ditë do të pikëprehen”, ka shkruar Kurti, duke ia bashkangjitur një fotografi në krahë me Glauk Konjufcën e Ardian Golën.

Gjatë gjithë vitit 2020, Kosova u përball me kriza politike, ku brenda një viti, vendi pati tre shefa të ekzekutivit.

Ramush Haradinaj ishte kryeministër në detyrë, deri në shkurt kur u zgjodh Albin Kurti, për të vazhduar më pas në qershor me Avdullah Hotin, qeverinë e të cilit Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetuese.

TË NGJASHME