Anulohet vendimi për shpronësimin e tokave për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Pejë

 Anulohet vendimi për shpronësimin e tokave për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Pejë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen që po mbahet sot ka anuluar vendimin përfundimtar 10/15 të datës 17 dhjetor 2018 për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë – Pejë, Segmenti Kijevë – Klinë – Zahaq (MFPT).

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murat, në gusht, kishte akuzuar Qeverinë Haradinaj, për keqpërdorimin e mbi 43 milionë euro për shpronësimin e pronave për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Pejë.

Murati në një konferencë për media, prezantoi një dokument, i cili sipas tij shfaq gjetjet e auditorit të brendshëm të kësaj ministrie për keqpërdorimit që dyshohet se janë bërë me rastin e ndarjes së buxhetit për shpronësimin e disa pronave.

Sipas këtij dokumenti, Qeveria Haradinaj ka ndarë 43 milionë euro apo 12 milionë euro më shumë se sa që ishte propozuar nga Departamenti i Tatimit në Pronë, për shpronësimin e 16 zonave kadastrale.

Bazuar në këto gjetje të auditorit të MF-së, ky departament kishte konstatuar se 122 prona në fshatin Drenoc vlejnë 6 milionë e 146 mijë euro. Mirëpo, sipas këtij dokumenti, këto prona ishin shpronësuar për 11 milionë euro, me vendim të Qeverisë Haradinaj.

Ndërkaq, pronat në fshatin Gllarevë, shpronësimi i të cilave sipas Departamentit për Tatim në Punë, do t’i kushtonte buxhetit të shtetit 5.8 milionë euro, u shpronësuan për 7 milionë euro.

TË TJERA