Ballkani nuk i garanton siguri gjyqtarit Shpëtim Murtezi, nga FFK-ja thonë se suharekasit rrezikojnë të përjashtohen

 Ballkani nuk i garanton siguri gjyqtarit Shpëtim Murtezi, nga FFK-ja thonë se suharekasit rrezikojnë të përjashtohen

Elita e futbollit kosovar do të rikthehet këtë të diele me sfidat e javës së 27-të.

E derbi i kësaj jave në Superligën e Kosovës do të zhvillohet në Suharekë, ku takohen dy pretendentët për titull të kampionit, Ballkani dhe Prishtina.

Megjithatë ende pa filluar loja ka filluar të nxehet kjo sfidë, me vendasit që janë kategorikisht kundër gjyqtarit Shpëtim Murtezi.

Komisioni i garave ka vendosur që Murtezi ta ndajë drejtësinë në këtë takim së bashku me anësorët Elvis Bicaj dhe Fatlum Jashari.

Por delegimi i Murtezit nuk i ka pëlqyer Ballkanit që ka bërë një kërcënim publik për gjilanasin, derisa kanë shkruar se nuk garantojnë për sigurinë e tij.

Gazeta Olle ka tentuar të marrë një prononcim zyrtar nga FFK, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Edhe dy numrat që janë në zyrën për informim nuk kanë qenë të qasëm.

Por një zyrtar i shtëpisë më të madhe të futbollit kosovar ka thënë në kushte anonimiteti se gjyqtarit Shpëtim Murtezi nuk mund t’i ndodhë asgjë, pasi në të kundërtën Ballkani do të rrezikonte deri në përjashtim.

“Për sigurinë e gjyqtarëve dhe delegatit përkujdeset policia speciale e Kosovës. Nuk mund t’i ndodhë asgjë atij”.

“Reagimi i Ballkanit nuk ishte i duhuri, pasi ishte kërcënim publik dhe nëse i ndodh ndonjë gjë gjyqtarit atëherë klubi do të rrezikonte shumë deri në përjashtim nga garat”, tha një zyrtar i FFK-së që nuk deshi t’i përmendet emri.

Edhe nëse çdo gjë shkon mirë në ndeshjen Ballkani – Prishtina, klubi suharekas rrezikon një dënim nga FFK për këtë reagim të ashpër që po konsiderohet si kërcënim.

Gjithsesi reagime të tilla që kërcënojnë zyrtarët e ndeshjes nuk duhet të lejohen nga asnjë skuadër kosovare, e aq më pak nga ato të elitës së futbollit kosovar e që pretendojnë të luajnë në arenën ndërkombëtare.

TË NGJASHME