Berjani: Çmimi i naftës në Kosovë ndër më të lirët në rajon

 Berjani: Çmimi i naftës në Kosovë ndër më të lirët në rajon

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se çmimet e naftës në Kosovë janë ndër më të lirat në rajon, përjashtuar këtu vetëm Maqedoninë e Veriut, që e ka akcizën 22 cent më të ulët.





“Abuzim me çmime nuk ka. Sot qytetarët furnizohen me dizel 1.11 euro deri 1.17 euro e me benzinë 1.15 euro deri 1.20 euro. Qytetarët e Kosovës po shërbehen me çmimet më të lira në rajon, pos Maqedonisë që e ka akcizën 22 cent më të ulët, ata furnizohen më lirë. Ne jemi më të lirët në rajon. Shembull sot në Shqipëri çmimi i dizelit sillet 1.49 euro e i benzinës 1.50 euro. Ne jemi mbi 35 më të lirë se Shqipëria”, ka thënë Berjani në intervistë në emisionin “SOT” të KTV-së.

Ai ka shtuar se gjatë verës ka mundur të ketë ngritje të çmimeve, por se këtë e ndikon bursa dhe organizata prodhuese OPEC.

“Ne jemi tregtar, në tregjet botërore rriten çmimet e kur rriten atje rriten edhe në Kosovë. Te ne reflekton pak me vonesë, pasi bizneset kanë stoqe të mëdha, nuk reflektohet rritja brenda ditës. Por bursa dhe organizata prodhuese OPEC reflekton edhe te ne”, ka thënë Berjani.

Berjani në anën tjetër ka thënë se është shumë mirë që kontrolli i cilësisë së naftës po bëhet nga Dogana e Kosovës. Ka thënë se është një vendim shumë i mirë që është marrë nga Qeveria Kurti dhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.

“Me ardhjen e ministrit Veseli ai e kishte deleguar kontrollin e cilësisë së naftës në kompani private, në trupa inspektuese të Ministrisë së Tregtisë. Puna më e mirë që bëri Qeveria Kurti e ministrja Hajdari është kur e ktheu vendimin dhe kontrollin e cilësisë së naftës ta bëjë Dogana e Kosovës. Kontrolli i cilësisë së naftës duhet bërë nga Dogana e Kosovës, si në çdo shtet të civilizuar që bëhet nga Dogana. Dogana ka një laborator që ka investuar mbi 1.2 milionë euro”, ka deklaruar Berjani.

E sa i përket cilësisë së naftës, Berjani ka thënë se nuk ka pasur ankesa nga qytetarët dhe kjo do të thotë se cilësia është e mirë. Ai ka thënë se furnizohen me naftës të cilësisë si shtetet në rajon, si Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi.

“Nuk ka pasur ankesa në këto dy vjet për cilësi të naftës”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se një ankesë tjetër që kishte pasur Shoqata ishte pastrimi i rezervuarëve çdo tri vjet, që ishte marrë nga ish-ministrat. Ai ka thënë se Shoqata ka reaguar për këtë dhe se ish-kryeministri Avdullah Hoti e anuloi udhëzimin.

“Është kthyer sipas standardeve të BE-së, pastrimi bëhet çdo 10 vjet. Është problem dhe e pamundur të bëhet pastrimi çdo tre vjet”, ka thënë Berjani.

Berjani ka shtuar se shpreson që të kalojë këtë vit edhe Ligji për naftën, ndërsa për ministrin e Transportit, Liburn Aliu, ai ka një kërkesë, problemin e kyçjes në rrugë.

“Kryeministri Kurti ka thënë se do ta kalojë Ligjin e naftës dhe do të jetë ligj i hapur, treg i barabartë. E përkrahëm dhe kaloi në lexim të parë. Presim që Ligji i naftës të kalojë edhe në lexim të dytë. Një kërkesë e kemi për ministrin e Transportit, Liburn Aliu, me të cilin kemi kërkuar takim. Është problemi i kyçjes në rrugë. Këtë problem e kanë biseduar gjithë ministrat, por ishin vetëm fjalë boshe, po presim nëse ministri Aliu do të veprojë ndryshe. Pikat e karburantit për kyçje në rrugë hyrje e dalje paguajnë 4 euro metri katror. Është skandal dhe një çudi të paguash çdo vit taksë nga 4 euro për metër katror, kur dihet se metri katror është privatizuar me 1 euro apo edhe 50 cent. Besoj se ministri Aliu do të na takojë në ditët në vijim e ta rregullojmë problemin”, ka thënë Berjani.





TË TJERA