Detajet e marrëveshjes që pritet të nënshkruajnë Kosova dhe Shqipëria në Elbasan

 Detajet e marrëveshjes që pritet të nënshkruajnë Kosova dhe Shqipëria në Elbasan

Dhjetëra marrëveshje pritet të nënshkruajnë Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në mbledhjen që do të mbahet të premten në Elbasan.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur për KALLXO.com detaje të marrëveshjeve që pritet të shqyrtohen dhe miratohen në këtë mbledhje.

Ai ka theksuar se përgatitjet për këtë mbledhje janë drejt finalizimit dhe ne presin që të nënshkruajnë disa marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe protokolle.

“Ato përfshijnë fushën e lëvizjes së lirë, lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar, fushën e arsimit, drejtësisë, infrastrukturës dhe kulturës”, ka thënë ai.

Sipas Kryeziut, në fushën e arsimit pritet të nënshkruhet marrëveshja dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave nga IAL-te (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave).

Në fushën e infrastrukturës, ka shtuar ai, pritet të nënshkruhet memorandumi për studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë.

Kryeziu ka shtuar se në fushën e sigurisë sociale pritet të nënshkruhet marrëveshja dypalëshe e cila u mundëson qytetarëve që jetojnë në të dy vendet të realizojnë të drejtat e tyre në pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës dhe të drejtën në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale.

Kosova dhe Shqipëria do të mbajnë mbledhjen e shtatë me radhë të përbashkët.

TË TJERA