Dyshimet për keqpërdorime me kartela të konvikteve dhe mensës (Fakte)

 Dyshimet për keqpërdorime me kartela të konvikteve dhe mensës (Fakte)

Qendra e Studentëve në Prishtinë gjatë kësaj jave ka publikuar rezultatet e studentëve të pranuar në konvikte për vitin 2021/2022.





Menjëherë pas publikimit të këtyre listave në rrjete sociale ka filluar keqpërdorimi i kartelave të konvikteve dhe mensës.


KALLXO.com ka hasur në disa raste kur studentët përmes postimeve në rrjete sociale kanë kërkuar persona për të shitur ose blerë kartelën e konviktit dhe mensës.

Në këto mesazhe shihet së studentët tentojnë ta shesin kartelën e konviktit deri në 150 euro.

KALLXO.com ka kontaktuar me Qendrën e Studentëve të cilët kanë bërë të ditur që janë në dijeni që qarkullojnë kërkesa të tilla në rrjete sociale por në konvikte vendosen vetëm studentët e pranuar në bazë të kritereve të caktuara.Image

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta tha për KALLXO.com se keqpërdorime të tilla nuk lejohet të ndodhin.

“Ne i ndalojmë këto raste dhe dikush që nuk e ka emrin në listën e të pranuarve nuk ka shanse të vendoset në konvikt. Ndërsa ata që e lëshojnë konviktin për arsye të ndryshme ato vende plotësohen prapë por edhe atëherë vendosen ata që e kanë emrin në listën plotësuese”, tha Sfishta.

Sfishta shtoi ndaj studentëve të identifikuar për keqpërdorime të tilla merren masa nga Qendra e Studentëve.

“Këta studentë vendosën në listën e zezë dhe u merret e drejta për banim në konvikte, po ashtu në vitet e ardhshme nuk kanë të drejtë fare të aplikojnë në konvikte”, tha ai.Image

Për këtë çështje ka reaguar edhe organizata studentore “SKV”. Përmes një postimi ata kanë thënë se një numër i madh i studentëve duke përdorur profile false në rrjetet sociale, kanë shprehur gatishmërinë të bëjnë biznes me vendet e tyre në konvikte.

“Kjo praktikë e gabuar është ndjekur edhe viteve të kaluara, por tash është koha që të ndalet. Dhomat e konvikteve nuk janë të tyre që t’i shesin. Ata që nuk duan të banojnë në Qendrën e Studentëve duhet të lajmërohen sa më parë ashtu që dhomat t’i shfrytëzojnë ata që vërtetë kanë nevojë dhe i meritojnë ato”, thuhet në reagimin e tyre.

Në Qendrën e Studentëve në Prishtinë këtë vit do të vendosen rreth 4000 studentë.





Pas publikimit të rezultateve me emrat e studentëve të pranuar, afati për paraqitjen e ankesave është i hapur deri me datë 30 shtator në ora 24:00

TË TJERA