E bëri ëndrrën realitet duke debutuar me Kosovën U17, Dorentin Gashi flet për karrierën e tij dhe të ardhmen e ndritur që e pret

 E bëri ëndrrën realitet duke debutuar me Kosovën U17, Dorentin Gashi flet për karrierën e tij dhe të ardhmen e ndritur që e pret

Futbollistët shqiptarë po vazhdojnë të dalin në pah nëpër klube të ndryshme evropiane dhe pastaj të shkëlqejnë nëpër kampionatet më të mira në kontinentin e vjetër.

Zvicra është shteti që më së shumti prodhon talente të futbollit me prejardhje nga Kosova, por që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet.

Njëri nga lojtarët e shumtë që ka filluar shkëlqimin në futbollin zviceran është edhe Dorentin Gashi, nga Kaçaniku që aktivizohet me skuadrën e famshme zvicerane Winterthur për grupmoshat U18.

Gashi tanimë e ka bërë ëndrrën e tij realitet, duke luajtur për Përfaqësuesen e Kosovës U17 ndaj Shqipërisë ditë më parë në Prishtinë.

Në një intervistë për Gazetën Olle, Gashi flet për fillimin e karrierës së tij, si dhe ftesën që i erdhi nga Dardanët.

“Karrierën e kam nisur qysh në moshën gjashtë vjeçare, pasi futbolli gjithmonë ka qenë sporti që e kam dashur”.

“Dy klubet e para të mija kanë qenë Nehausen dhe Schaffhausen, derisa tani jam tek Winterthur U18”, tha fillimisht Gashi për Gazetën Olle.

Dorentini është vetëm 16 vjeçar dhe luan në pozitën e mbrojtësit qendror, ku ka një trup shumë të mirë për të bërë një karrierë të madhe në këtë pozitë.

“Ftesa nga Kosova më ka ardhur disa javë më parë për të luajtur me U17 dhe jam ndier shumë mirë. Unë kam ëndërruar të luaj për Kosovën dhe një ëndërr u bë realitet”.

“Pritja në grumbullim ka qenë fantastike nga të gjithë dhe kam kaluar mirë gjatë atyre ditëve në Kosovë”, tha Gashi.

16-vjeçari konsiderohet si një nga lojtarët më të talentuar te Winterthur, derisa ai ka dy modele të lojtarëve që i pëlqen jashtëzakonisht shumë dhe synon që një ditë t’i arrijë sukseset e tij.

“Sergio Ramos është lojtari që e dua shumë, por më pëlqen edhe kapiteni i Kombëtares A, Amir Rrahmani. Uroj që një ditë t’i arrijë sukseset e tyre”, tha Gashi.

Mbrojtësi shtatlartë tani është vetëm 16 vjeçar, por ai i ka vendosur vetës synim që në moshën 18-vjeçare të luaj në Superligën e Zvicrës.

“Karriera deri më tani është duke shkuar shumë mirë dhe shpresoj që të vazhdoj në këtë ritëm. Fillimisht ëndërroj që të luaj në Superligën e Zvicrës dhe këtë synim mendoj ta bëjë realitet në moshën 18-vjeçare”, vazhdoi tutje talenti nga Kosova.

Krejt në fund Gashi tregoi edhe ëndrrat e tij të mëdha në futbollin profesionist.

“Ëndrra e madhe është padyshim të luaj me Kombëtaren A të Kosovvs dhe besoj që me punë të madhe dhe përkushtim do t’ia arrijë ta realizoj, por pse jo edhe të luaj një ditë për klubin tim që e simpatizoj, Liverpoolin”, tha talenti nga Kaçaniku.

TË TJERA