Gjykatësi që ia lehtësoi masën Erton Musliut ishte i dënuar për sjellje të pahijshme

 Gjykatësi që ia lehtësoi masën Erton Musliut ishte i dënuar për sjellje të pahijshme

Të premten, gjyqtari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Adem Shabani me rekomandim të prokurorit të lëndës e ka ndryshuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak për Erton Musliun.





Musliu ngarkohet me veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, në aksidentin që ndodhi më 6 qershor 2021 ku vdiqën 5 persona në magjistralen Ferizaj-Shtime.

Këtë e ka konfirmuar për Front Online, zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore të Ferizajt, Albenora Bekteshi- Hoti.

“Të premten me propozim të prokurorit i është ndryshuar masa”, ka thënë ajo.

Bekteshi- Hoti në pyetjet e redaksisë së Front Online se në çfarë masa lehtësuese është aprovuar një kërkesë e tillë ka thënë se në këtë fazë të gjykimit, gjatë procedurës paraprake gjykatësi vepron sipas kërkesës së prokurorisë.

“Në këtë fazë të procedurës, gjykata vepron bazuar në kërkesat e prokurorisë, dhe në rastin të cilit i referoheni ju kërkesa ka qenë nga prokurori i rastit për zëvendësimin e masës se sigurimit të prezencës së të dyshuarit, pra nga masa e masës së paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak”, ka thënë ajo.

Në kohën sa ishte gjykatës i Gjykatës Themelore dega në Shtërpcë ishte dënuar nga Zyra e prokurorit disiplinorë për sjellje të pahijshme.

Kjo ndodhi në tetorin e 2016.

Krejt kjo kishte ndodhur pasi emisioni e “Drejtësia në Kosovë” të datës 28 tetor 2016 kishte shfaqur hulumtimin në të cilin u zbulua se prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj Visar Musa kishte drekuar me Raif Ramën, personin ndaj të cilit kishte ngritur aktakuzë.

Musa kishte thënë për “Drejtësinë në Kosovë” se ishte në dijeni se po takohej me të akuzuarin, por sqaroi se takimi ishte iniciuar nga gjykatësi Adem Shabani që ka miqësi me të akuzuarin Rama.

Takimi ishte konfirmua edhe nga gjykatësi Adem Shabani, por ai duke e pranuar se të akuzuarin Rama e ka të afërm, duke thënë se qëllimi i takimit nuk ishte ndikimi në prokurorin Musa.

Gazeta ka kontaktuar me Adem Shabanin, por me të dëgjuar pyetjet e gazetarit ai e ka mbyllur telefonin dhe nuk është përgjigjur më.

Adem Shabani, është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Që nga muaji mars 2017, është gjyqtar në divizionin penal të Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Shabani nga viti 2019 është gjyqtar përgjegjës i Divizionit Penal.





TË TJERA