Hoti e uroi presidentin e SHBA-së me anglishte të dobët, falënderoi Trumpin

 Hoti e uroi presidentin e SHBA-së me anglishte të dobët, falënderoi Trumpin

Joe Biden, presidenti i ri i SHBA-së, mori urime nga liderët anembanë globit, në ditën e inaugurimit të tij, përfshirë nga krerët e institucioneve në Kosovë.

Urimi i kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, dërguar më 21 janar, pos që është kritikuar për anglishte të dobët, përmend mes tjerash edhe ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trumpin.

“Me këtë rast, do të doja të shpreh falënderimet dhe mirënjohjet e mia për presidentin Donald Trump dhe administratën e tij për mbështetjen e dhënë për proceset demokratike në Kosovë dhe integrimet ekonomike rajonale”, ka shkruar Hoti në telegramin e urimit.

Të pavend e ka quajtur përmendjen e Trumpit, Besnik Pula, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Virginia Tech në SHBA. Ai po ashtu thotë se ky urim mund të keqlexohet.

“Së pari urohet zgjedhja e presidentit Joe Biden, mund të keqlexohet sepse z. Biden është zgjedhur në nëntor. Ai është inauguruar tani dhe kontestimi i zgjedhjes së tij është bërë nga ish-presidenti Trump. E dyta në letër falënderohet ish-presidenti Trump dhe kjo është e pavend në një letër, e cila është urim për fillimin e një mandati të ri për një president të ri. Dhe e treta, i mungonte ngrohtësia që i takon një figure si Joe Biden, i cili nuk është një person i panjohur, nuk është një anonimus. Nëse kryeministri aktual i Kosovës do ta falënderojë presidentin Trump, ai mund t’i dërgojë letër atij”, ka vlerësuar Pula.

Anglishtja e telegramit urues është kritikuar edhe nga Leonora Kryeziu, drejtoreshë e Institutit të Prishtinës për Studime Politike.

Ajo thotë se teksti ngërthen fraza klishe, teksa i mungon vlerësimi i rëndësisë së figurës së Bidenit.

“Një problem tjetër serioz me këtë letër është përkthimi në gjuhën angleze. Letra në gjuhën angleze ka mangësi të dukshme në përkthim dhe përshtatje, gjë që dërgon një sinjal jo të mirë diplomatik për Kosovën”, ka thënë Kryeziu.

Antigona Baxhaku, zëdhënëse e Qeverisë në detyrë, e ka quajtur standard të zakonshëm komunikimi urimin e kreut të ekzekutivit.

“Është standard shumë normal i komunikimit, që përpos urimit, të vlerësohet, përkatësisht, falënderohet administrata paraprake për bashkëpunimin e deritanishëm dhe të shprehet gatishmëria për vazhdim, me mundësi të thellimit të këtij bashkëpunimi, me administratën e re”, ka thënë ajo.

Presidentin Biden e ka uruar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Në këtë urim, të cilin e ka siguruar KOHA, shkruhet se ajo mezi pret të punojë me presidentin Biden në forcim të demokracisë, kërkim të njohjes më të madhe ndërkombëtare të Kosovës dhe në rrugën drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

TË TJERA