IKD: Avokati i Popullit e reduktoi rastin e Dakës, mund ta dërgonte në Kushtetuese pa shterur asnjë mjet juridik

 IKD: Avokati i Popullit e reduktoi rastin e Dakës, mund ta dërgonte në Kushtetuese pa shterur asnjë mjet juridik

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), po vlerësojnë të padrejtë refuzimin e kërkesës së ish-kryesueses së KQZ-së, Valdete Dakës që ta dërgojë vendimin e presidentes Osmani në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Avokatit të Popullit.

Jeton Hasani nga IKD-ja vlerëson se Avokati i Popullit e redukton rastin për shkaqe procedurale, që sipas Hasanit nuk ekzistojnë dhe mohon që vendimi presidencial të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Avokati i Popullit e redukton rastin, pa të drejtë, në një rast të ligjshmërisë që mund të prekë vetëm të drejtat individuale të Dakës, pa pasur parasysh interesin publik që një rast i tillë problematik në aspektin kushtetues të trajtohej nga autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, përkatësisht nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai për lajmi.net.

“Këto arsye procedurale janë iluzore pasi që Avokati i Popullit, si palë e privilegjuar, ka mundur të dërgojë çështjen pranë Gjykatës Kushtetuese pa pasur nevojë të shteret asnjë mjet juridik i vetëm (edhe po të ekzistonte). Pra, duke i bërë një interpretim vetëm procedurës së ndjekur nga Daka, Avokati i Popullit ka mohuar mundësinë që një vendim problematik presidencial, me interes publik, të shqyrtohet në merita nga ana e autoritetit më të lartë për mbrojte të Kushtetutës në vend”, tha tutje ai.

Hasani njofton se, në rast të vullnetit të subjekteve politike, akterëve të të cilëve u kërkohen 30 nënshkrime, iu kanë mbetur tri javë në dispozicion ta dërgojnë çështjen e vendimit të presidentes për Dakën në Kushtetuese.

“Nëse të paktën 30 deputetë vlerësojnë se ky vendim problematik presidencial është i mangët në aspektin juridik dhe paraqet cenim të disa parimeve kyçe kushtetuese, atëherë të njëjtin duhet ta dorëzojnë në Gjykatë Kushtetuese. Nëse jo, është vlerësim i tyre në fund të fundit dhe nuk ka çfarë të bëhet më tepër në këtë drejtim. Në çdo rast, kanë mbetur rreth tri javë nga afati final për dërgimin e kësaj çështjeje në Kushtetuese nga deputetët, si opsioni i vetëm real i mbetur në rrethanat aktuale”, njofton tutje ai.

Avokati i Popullit ka refuzuar kërkesën e paraqitur nga ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka për dërgimin e ankesës së saj në Gjykatën Kushtetuese. Refuzimi i dërgimit të ankesës për shkarkimin e saj, sipas Avokatit të Popullit bëhet pas vlerësimit se çështja e ngritur nga Daka nuk ka ofruar dëshmi se ka shteruar, apo që së paku ka përdorur mjetet juridike kundër Vendimit të Presidentes.

“Për më tepër, Ligji për Avokatin e Popullit, neni 22, paragrafi 1, nën-paragrafi 4 përcakton se Avokati i Popullit refuzon kërkesat kur të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nuk janë shteruar. Në rastin konkret znj. Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet, pa paragjykuar nëse Vendimi i Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj është i drejtë dhe në pajtim me ligjin”, u tha në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Në anën tjetër, e gjithë kjo “betejë” ligjore midis presidentes Osmani dhe ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka ardhur pas deklarimit të Misionit të Vëzhguesve të BE-së ku në raportin e parë preliminar për raundin e parë të zgjedhjeve kishin konstatuar se shkarkimi i Dakës është bërë i pabazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Pas kësaj, ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka vendosi që të përdorë mundësinë e saj ligjore që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim vendimin për shkarkimin e saj, e kjo rrugë i binte kah Institucioni i Avokatit të Popullit – ndërsa ky i fundit vendosi të mos e dërgonte në Kushtetuese.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që nga shkarkimi i Dakës dërgimin e vendimit në Kushtetuese, por kjo nuk është përkrahur nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

TË TJERA