Infermierët heronj që evakuan pacientët pas zjarrit në Spitalin e Vushtrrisë

 Infermierët heronj që evakuan pacientët pas zjarrit në Spitalin e Vushtrrisë

Gjatë ditës së djeshme ka ndodhur një zjarr afër impiantit të mbeturinave mjekësore në Spitalin e Vushtrrisë.

Zjarri që kishte ndodhur në hapësirën e jashtme, futi brenda sasi të madhe të tymit për çka stafi u detyrua të evakuojë pacientët nga një repart, shkruan Gazeta Shneta.

Për pacientët u kujdesën infermierët të cilët sipas rrëfimeve të tyre në mediat lokale “Jepi zë” dhe “Viciana Press”, pothuajse kollabuan duke nxituar në mes tymit për t’i shpëtuar pacientët.

Filloreta Feka dhe Arlind Selani ndihmuan pacientët që të largohen nga reparti i cili ishte mbushur me tymë. Madje ata patën nevojë edhe vet për ndihmë mjekësore pas largimit të pacientëve.

Në anën tjetër dy infermierë të emergjencës Shaqir Shaqiri dhe Faton Bozhlani, ishin dy personat e parë që filluan shuarjen e zjarrit me bombola. Të dy kanë pësuar edhe djegie.

Zyrtarët e spitalit kanë deklaruar se zjarri ka rënë tek mbeturinat mjekësorë pasi impianti është në servisim, por fatmirësisht ka kaluar pa pasoja në njerëz.

“Ju njoftojmë se sot rreth orës 15.30, ka shpërthyer zjarri te mbeturinat mjekësore, afër impiantit, në hapësirën e mbrapme të Spitalit. Impianti aktualisht është në servisim dhe mbetjet kanë qenë të grumbullara afër tij deri në servisimin e pajisjes. Pas intervenimit, zjarri u shua. Pa pasoja në objekt dhe pa lëndime eventuale”.

TË NGJASHME