Kapja e arsimit në Ferizaj nga Agim Aliu dhe PDK

 Kapja e arsimit në Ferizaj nga Agim Aliu dhe PDK

Korrekt Press ka arritur të sigurojë një bisedë në të cilën shihet se si anëtarët e PDK-së shfaqin qëllimet e tyre për kapjen e shkollave dhe drejtorive të tyre në Ferizaj.

Në këtë bisedë të vitit 2017, një profesor (emër i njohur për redaksinë) i gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” i bën thirrje një nxënësit të asaj shkolle që të votojë Agim Aliun dhe PDK. Në bisedë e sipër ai tregon për planin që ka ai dhe të tjerët rreth tij për të marrë në kontroll këtë shkollë. Kur ai pyetet se pse nuk ka konkurruar si kandidat për asamblenë komunale, përgjigjet duke thënë “Nuk kam pas asi synimi…Synimi jem eshte ta marrmi gjimnazin, njerzit e mi ja une, se grupacioni na fshini”

Në këtë kohë drejtor i kësaj shkolle ishte Enver Azemi, që akuzohej për afërsinë e tij me ish pushtetin që atë kohë i takonte LDK-së. Nga informatat që ka siguruar KorrektPress, pas fitores në Ferizaj nga ana e Agim Aliut fillohet të ushtrohet presion i vazhdueshëm mbi të derisa detyrohet të jap dorëheqje ne vitin 2018.

Pas tij si u.d i drejtorit emërohet ish profesori Bajram Rexhepi, i njëjti pastaj zgjedhet drejtor i rregullt në këtë shkollë. Ajo çka e bën ende më skandaloze këtë situatë është mënyra e zgjedhjes së këtij drejtori, e cila shoqërohet me shkelje të udhëzimit administrativ të kohës, të lëshuar nga ish ministri Bytyçi. Në bazë të këtij udhëzimi administrativ, rrethi i ngushtë i kandidatëve për drejtor duhet të bëjnë paraqitjen e planprogramit për udhëheqjen e shkollës gjatë mandatit të tyre para Këshillit të Profesorëve dhe Këshillit të Prindërve.

Kandidati Bajram Rexhepi, sa për formalitet, këtë prezantim nuk e bën ne shkollën ku kishte aplikuar për t’u zgjedhur, por e bën në ambientet e objektit të Komunës së Ferizajt. Në këtë prezantim nuk ishin të pranishëm as 1/3 e Këshillit të Profesorëve dhe profesorët e pranishëm ishin të njohur për afërsinë që kishin me PDK dhe z.Rexhepi. Kurse prindërit që ishin prezent në këtë prezantim, edhe pse në numër simbolik, shumica e tyre nuk ishin fare pjesë e Këshillit të Prindërve.

KorrektPress mëson që fill pas përzgjedhjes së këtij drejtori, këta profesorë që ishin përkrahës të tij dhe z. Aliu futen ne dosjet e tyre dhe fshijnë vërejtjet që kishin marrë në kohën e drejtorit paraprak.

Vlen të cekët që gjimnazi “Kuvendi i Arbërit” është prej shkollave më të rëndësishme në komunën e Ferizajt, dhe është ndër shkollat më të suksesshme ne vend.

TË TJERA