Këto janë kategoritë që do të vaksinohen të parat në Kosovë

 Këto janë kategoritë që do të vaksinohen të parat në Kosovë

Kosova ende nuk është furnizuar me asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, ndonëse shumë shtete tashmë kanë vaksinuar një pjesë të popullsisë. Dozat e para të vaksinave pritet të vinë nga COVAX, ndërsa me to do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë e të moshuarit mbi 80 vjeç, personat e vendosur në shtëpitë e të moshuarve dhe punëtorët social, si dhe personat me sëmundje kronike raporton Gazeta Express.

COVAX pritet ta furnizojë Kosovën me 100 mijë e 800 vaksina kundër COVID-19. Furnizimi ishte paraparë të bëhej në fund të këtij muaji, por që ende nuk është dhënë ndonjë datë e saktë, andaj edhe mund të ketë vonesa deri në muajin mars.

Me ardhjen e këtyre vaksinave, gjatë muajit mars pritet të vaksinohet një pjesë e qytetarëve. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se të parët që do të vaksinohen me këto vaksina do të jenë punëtorët shëndetësorë, të moshuarit mbi 80 vjeç, personat e vendosur në shtëpitë e të moshuarve dhe punëtorët social, si dhe personat me sëmundje kronike.

Pjesa tjetër e qytetarëve do të vaksinohet me dozat tjera të vaksinës me të cilat nuk dihet se kur mund të furnizohemi. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për gazetën se kanë përgatitur planin e imunizimit kundër COVID-19 si dhe kanë trajnuar personelin shëndetësorë që merren me vaksinim.

“OBSH ka miratuar vaksinën AstraZeneca/SKBio dhe SIIL për përdorim emergjent kundër COVID-19. Kosova ka përgatitur Planin e imunizimit kundër COVID-19 në detaje, përfshirë edhe planin e shpërndarjes, ka trajnuar personelin që merren me vaksinim, ka përforcuar kapacitetet e zinxhirit të ftohtë të ruajtjes dhe ka në dispozicion ekipet e vaksinimit dhe logjistiken përcjellëse për krejt këtë proces”, është thënë për gazetën.

Megjithëse është thënë se në fund të këtij muaji Kosova do të furnizohet me vaksinat kundër COVID-19, zëdhënës në Aleancën e Vaksinave Gavi nuk kanë dhënë informacione se kur saktësisht mund të furnizohet vendi, duke thënë se as vet nuk kanë informacione.

Infektologë në vend e kanë parë shumë të rëndësishëm vaksinimin e qytetarëve, në mënyrë që të menaxhohet situata, e të ndalet përhapja e variantit të ri të COVID-19.

Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sot ka apeluar tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin e menaxhimin e COVID-19.

Kujtojmë që derisa Kosova ende nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, shumë shtete të rajonit, përfshirë këtu Shqipërinë, Maqedoninë e Serbinë, tashmë kanë vaksinuar një pjesë të popullsisë.

TË NGJASHME