Këto janë shtetet prej të cilave Kosova do të marrë vaksina anti-Covid

 Këto janë shtetet prej të cilave Kosova do të marrë vaksina anti-Covid





Liderët e Bashkimit Evropian, gjatë samitit të mbajtur në Bruksel, kanë paralajmëruar se deri në fund të vitit, blloku do të dhurojë së paku 100 milionë doza të vaksinave në vendet më pak të zhvilluara, ku do të përfitojë edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kroacia ishte vendi i parë që bëri publike dhënien e një donacioni prej 10.000 dozave të vaksinës për Kosovën dhe një sasie tjetër dhe për Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën. Pikërisht këto tri shtete të rajonit janë duke ngecur më së shumti në procesin e vaksinimit.

Burimet nga BE-ja kanë paralajmëruar se Austria, Hungaria, Polonia dhe Sllovenia, së shpejti do të japin falas vaksina për këto shtete të rajonit. Kosova pritet që të përfitojë një numër të konsiderueshëm të vaksinave, që do të jepen donacion nga këto shtete. Nga këto donacione do të përfitojnë edhe Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Këto donacione të vendeve anëtare të BE-së do të jenë doza shtesë pas më shumë se 600.000 dozave që BE-ja tashmë ka ndarë për vendet e Ballkanit.

Në të njëjtën kohë, disa vende të tjera të BE-së janë duke rritur donacionet për shtete të ndryshme. Rumania ka përqendruar ndihmën e saj drejt vendeve në fqinjësinë lindore, sidomos duke dhuruar vaksina Moldavisë. Po ashtu priten donacione edhe për Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Spanja dëshiron më shumë ndihmë për vendet e Amerikës Latine, ndërsa Franca për shtetet e Afrikës së Veriut.

Pos donacioneve, pritet që së shpejti disa vende të BE-së të kenë mundësi edhe t’i shesin vaksinat të cilat u takojnë atyre nga sasia e kontraktuar nga ana e Bashkimit Evropian.

BE-ja ka ndarë edhe 70 milionë euro për vendet e rajonit, me qëllim që t’u ndihmojë në sigurimin e vaksinave. Nga këto mjete mund të paguhen edhe vaksinat të cilat mund të shkojnë nga shtetet e BE-së. Por, shumë prej këtyre shteteve, vaksinat që do t’i dhurojnë do t’i paguajnë nga buxhetet e tyre.

Në kohën kur procesi i vaksinimit në BE po shkon mirë dhe shumë shtete tashmë i janë afruar shifrës prej 50 për qind të qytetarëve të moshës madhore të vaksinuar së paku me një dozë, BE-ja dëshiron të ndihmojë përshpejtimin e vaksinimit edhe në vendet fqinje, sidomos në ato të Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse në rajon situata epidemiologjike duket mjaft e mirë, ditëve të fundit në BE-ja tërheqin vërejtjen se në rast se gjatë verës nuk merr hov procesi i vaksinimit, vala e re e pandemisë mund të kthehet në vjeshtë, siç kishte ndodhur edhe vitin e kaluar.





TË NGJASHME