Kryeministri Kurti: Beogradi s’më ka definuar si peng lufte, jo tash si kryeministër

 Kryeministri Kurti: Beogradi s’më ka definuar si peng lufte, jo tash si kryeministër





Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ai nuk do vazhdojë avazin e vjetër të paraardhësve të tij në lidhje me dialogun me Serbinë.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë në të cilën u miratua raporti i punës 100 ditore të Qeverisë, Kurti akuzoi paraardhësit e tij në post se kanë bërë shumë lëshime karshi Serbisë e njohja nuk erdhi kurrë .

“Kur Presidenti i Serbisë deklaron se nuk do ta njohë kurrë Kosovën, a nuk duhet pyetur ata që kanë bërë koncesione deri më tani në emër të njohjes? Unë kam qëndrim parimor, të drejtë për republikën. Pra, sinqerisht na lejoni të merremi me drejtësi dhe punësim, menaxhim të pandemisë. E këto pyetje për dialogun janë shumë të mira për paraardhësit e mi. Pse e pranuan asociacionin, tabelat etj”, theksoi Kurti, njofton Klan Kosova.

Kryeqeveritari përsëriti qëndrimin e tij se nuk ka ndryshuar rreth Liqenit të Ujmanit mbi menaxhimin e të cilit në bashkëpunim me palën serbe këshillohet në Raportin e Departamentit Amerikan të Energjetikës.

Kurti ka kundërshtuar shumicën e zotimeve të dhëna nga Qeveria Hoti në Washington më 4 shtator 2020.

“Qëndrimet tona sa i përket Liqenit të Ujmanit janë po ato të njëjtat, natyrisht që mund të dalin analiza dhe studime, por që puna jonë është të konsiderojmë Ujmanin ashtu siç është, liqen artificial i Kosovës për Kosovën. Ne atë tashmë e kemi paguar. Sa i përket marrëveshjes së Washingtonit e kam thënë që pika më e rëndësishme është ajo e fundit që tashmë është realizuar (njohja nga Izraeli). Por nuk mund të flasim sikur nuk ka ndodhur 14 shkurti (2021), ndryshimi në Kosovë është gjigant. Këtë nuk e bënë ne, jemi pjesë e këtij ndryshimi”.

Shefi i qeverisë i është kundërpërgjigjur presidentit serb Aleksandër Vuçiq që Kurtin e ka cilësuar kryeministër të “ institucioneve të përkohshme në Prishtinë”.

“Sa i përket cilësimeve që vijnë nga Beogradi. Ata janë përpjekur të na definojnë qysh moti, mua nuk më kanë definuar, as nuk kam qenë i burgosur politik, peng lufte, nuk mund të ketë definime për mua sidomos tash kur jam edhe kryeministër. Por kur do të ketë marrëveshje me njohje të ndërsjellë, nuk varet nga ne”, ka shtuar Kurti.

Përndryshe Kurti nuk është se tregoi saktë se kur do ta vizitojë veriun e Republikës.





TË TJERA