Kryeshefi në detyrë i Postës fiton mbi 25 mijë euro në kontestin ndaj Telekomit dhe Postës

 Kryeshefi në detyrë i Postës fiton mbi 25 mijë euro në kontestin ndaj Telekomit dhe Postës





Pak ditë para se të merrte pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës, Rafet Jashari e ka fituar në gjykatë një rast ku e kishte paditur institucionin që tashmë drejton.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Posta e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës do të duhen që në mënyrë solidare t’ia paguajnë Rafet Jasharit 25 mijë e 222 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë shumë, Posta e Kosovës dhe Telekomi janë obliguar që t’ia paguajnë Jasharit në emër të kompensimit për ndryshim të diferencës në pagë për periudhën shtator 2010 – shkurt 2012, si dhe në emër kamatës, kontributeve pensionale, tatimit për Administratën Tatimore të Kosovës dhe shpenzimeve të procedurës kontestimore. Posta e Kosovës dhe Telekomi ende nuk kanë bërë ankesë ndaj vendimit.

Jashari më 3 maj të vitit 2011 kishte paditur Postën dhe Telekomin e Koëovës, duke kërkuar anulimin e një vendimi me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit në Postë. Më 17 maj të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar në tërësi padinë e Rafet Jasharit.

Sipas këtij aktgjykimi, Posta e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës janë detyruar që në mënyrë solidare t’ia kompensojë Jasharit ndryshimin e diferencës në paga për periudhën kohore nga 3 shtatori 2010 deri më 6 shkurt 2012 në shumë prej 19,321.39 euro, në emër të kamatës 928.41 euro ndërsa nga 31 dhjetori 2012 e tutje kamatën ligjore deri në pagesë defintive.Po ashtu, të paditurat janë detyruar që në emër të diferencës së kontributeve të paguajnë në Trustin Pensional në emër të paditësit shumën prej 3,389.41 euro dhe tatimin Administratës Tatimore të Kosovës në afat prej 7 ditësh si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 1,584.00 euro.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar, ndërsa lartësinë e kërkesëpadisë, gjykata e ka mbështetur në ekspertizën financiare të bërë për këtë rast.

Sipas aktgjykimit, gjykata nuk i ka marrë për bazë pretendimet e të paditurës lidhur me afatshmërinë e padisë, pasi siç thuhet, gjykata në vitin 2012 e kishte refuzuar si të pabazuar pretendimin se padia kishte qenë e paraqitur pas afatit.

Ndryshe, ky rast ishte vendosur edhe njëherë nga gjykata, ashtu që padia ishte aprovuar si e bazuar, por lënda ishte kthyer pastaj në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Jashari më 3 qershor është caktuar u.d. i kryeshefit të Postës së Kosovës pas shkarkimit të Xhevdet Smakiqit.





TË NGJASHME