Kurti për mediumin kroat: Kosova s’është problemi, por Serbia dhe presidenti i saj

 Kurti për mediumin kroat: Kosova s’është problemi, por Serbia dhe presidenti i saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk është arsye e problemeve aktuale, por është Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiq.





Kurti në një intervistë për televizonin kroat HRT ka thënë se Vuçiq ende mendon dhe flet si të jetë në vitet 1990-ta.

“Ne ende kemi probleme me Serbinë. Kosova nuk është problemi këtu, është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi, që mendon e flet si në vitet 90-ta të shekullit të kaluar. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të presidentit të Serbisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se mbi 11 mijë automjete kanë marrë targat e përkohshme të Kosovës që kur është vendosur reciprociteti me targa ndaj Serbisë dhjetë ditë më parë.

Kurti ka thënë se qytetarët serbë që janë vendosur në barrikada në Jarinjë e Bërnjak paguhen nga Serbia.

“Disa prej tyre gjithashtu morën pjesë në tentim grusht-shteti në Mal të Zi pesë vjet më parë”, thotë Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka shtuar se nuk mund të mendojë ndryshe, pos që Vuçiq synon të nxisë një konflikt ndërkombëtar.

“Sjellet ministri i Mbrojtjes në kufi me Kosovën, së bashku me ambasadorin rus në Serbi dhe me atasheun e Mbrojtjes së Rusisë në Beograd. Në të njëjtën kohë i vihet zjarri një ndërtese në Zubin Potok. Aeroplanët MIg-29 sillen rreth Kopsovës, po ashtu helikopterë e automjete të blinduara e prodhuara në Rusi i afrohen kufirit. Ata erdhën me një arsenal ushtarak në kufijtë tanë. Forca tona speciale janë atje, si në Bërnjak ashtu edhe Jarinjë. Mos harroni se në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ata dogjën pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se Kosova e Shqipëria ndonëse janë dy shtete, janë një komb i vetëm. Kufiri ka thënë se nuk është as shqiptar e as i Kosovës, por ishte jugosllav.





“Si Prishtina ashtu edhe Tirana duam të bashkëpunojmë sa më ngushtë, e të integrohemi dhe ndihmojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Kurti.

TË TJERA