Kush janë talebanët dhe çfarë do të thotë kthimi i tyre në pushtet për Afganistanin?

 Kush janë talebanët dhe çfarë do të thotë kthimi i tyre në pushtet për Afganistanin?

Talibanët zakonisht portretizohen si një grup burrash me mjekër dhe çallma, të shtyrë nga ideologjia fundamentaliste islame. Në fakt është e rëndësishme të kuptohet origjina e tyre, duke filluar nga vitet 1980, të luftës së ftohtë. Guerilët afganë të quajtur muxhahedinë, zhvilluan luftë kundër pushtimit Sovjetik për rreth një dekadë.

Në vitin 1989, sovjetikët u tërhoqën dhe kjo shënoi fillimin e kolapsit të qeverisë afgane, që ishte mbështetur shumë tek ata. Deri në vitin 1992, u formua një qeveri muxhahedine, e cila vuajti nga përplasjet e përgjakshme në kryeqytet.

Këto kushte krijuan terren të favorshëm për shfaqjen e talebanëve. Një grup fundamentalist islamik i dominuar nga ata të përkatësisë etnike pashtune, talebanët besohet se janë shfaqur për herë të parë në medresetë fetare, të financuara nga Arabia Saudite në Pakistanin verior, në fillim të viteve 1990. Disa prej tyre ishin luftëtarë muxhahedinë kundër sovjetikëve. Në 1994, ata filluan një fushatë ushtarake nga jugu i Afganistanit. Deri në vitin 1996, grupi kishte kapur kryeqytetin afgan, Kabulin, pa shumë rezistencë.

Për njerëzit e lodhur nga lufta në Afganistan, premtimi i talebanëve për të sjellë siguri dhe rregull në njërën anë dhe për të frenuar korrupsionin nga ana tjetër ishte tërheqës. Por kjo u shoqërua me një kosto të lartë dhe ndonjëherë të padurueshme, si futjen e ndëshkimeve të ashpra si ekzekutimet publike, mbylljen e shkollave të vajzave (për ato të moshës dhjetë vjeç e lart), ndalimin e televizionit dhe shkatërrimin e statujave historike të Budës.

Kurse në vitin 2021, grupi kryengritës ka rreth 75,000 luftëtarë dhe makineria kryengritëse funksionon me fonde të huaja (nga qeveritë dhe donatorët privatë), taksat e nivelit lokal, zhvatjen dhe përfitimet nga tregtia me drogë, raporton RTE, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa kur bëhet fjalë për të drejtat e grave, lirinë e shtypit, zgjedhjet dhe liritë e tjera të garantuara në kushtetutën e vitit 2004 (të paktën, në formë të shkruar), talebanët shpesh kanë thënë se duan një “sistem të mirëfilltë islamik” që përputhet me traditën afgane, por është e paqartë se çfarë do të thotë saktësisht dhe sa e ndryshme do të ishte nga rregulli i tyre i mëparshëm (1996-2001).

TË NGJASHME