La Kosovën për Shqipërinë, flet Hajdin Salihu

 La Kosovën për Shqipërinë, flet Hajdin Salihu

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë U21, Hajdin Salihu, ka folur për emocionet e tij lidhur me ftesën e Shqipërisë.

Mbrojtësi Hajdin Salihu, futbollisti i talentuar i cili aktivizohet në radhët e Lokomotivës së Zagrebit u shpreh mjaft i lumtur që është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, teksa theksoi se është pritur mjaft mirë nga skuadra.

Salihu duke folur në konferencën për shtyp, tregoi emocionet e tij lidhur me paraqitjen në fanellën kuq e zi.

“Ftesën e Kombëtares shqiptare e kam pritur shumë emocionalisht. Është kënaqësi të jesh pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Për mua është nder dhe krenari të vesh fanellën kuqezi. Besoj se çdo futbollist shqiptar e ka ëndërr të veshë fanellën shqiptare”, tha ai.

“Është një grup i bukur, djemtë më kanë pritur mjaft mirë. Jemi duke punuar dhe besoj se do i arrijmë objektivat së shpejti. Niveli i skuadrës është shumë i mirë. Djemtë janë lojtarë të mirë dhe të talentuar dhe besoj se do kemi rezultate shumë të mira”, përfundoi Hajdin Salihu.

Hajdini është bashkuar me Shqipërinë U21 në kuadër të grumbullimit 10 ditor që po zhvillon ekipi i Shpresave në kompleksin “Tropikal”, Durrës, nën drejtimin e teknikut kuqezi, Alban Bushi.

TË TJERA