Lajçak deklarohet pas takimeve me Bislimin e Petkoviqin: Diskutimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës

 Lajçak deklarohet pas takimeve me Bislimin e Petkoviqin: Diskutimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak ka njoftuar se ka pasur dy takime të ndara me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.





Diplomati sllovak përmes një postimi në Twitter ka shkruar se me kryenegociatorët ka diskutuar ndaras për të mënyra se si të zgjidhet kriza e tanishme.

“Këtë mëngjes, pata dy takime të ndara me Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar mënyrat për të zgjidhur krizën aktuale. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona gjatë gjithë ditës”, ka shkruar Lajcak.

Gjithashtu, sot në Bruksel, Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar.





TË TJERA