Liturgjia në Kishën Ortodokse Serbe, Çeku: Policia s’e dinte, shkelje e rregullave të sigurisë publike

 Liturgjia në Kishën Ortodokse Serbe, Çeku: Policia s’e dinte, shkelje e rregullave të sigurisë publike





Gjatë ditës së sotme është mbajtur liturgjia në Kishen serbe e cila gjendet brenda Kampusit Universitetit të Prishtinës.

Kjo ka ngjallur shumë reagime në opinionin publik, si nga opozita, shoqëria civile dhe organizata të ndryshme.

E reagimi i parë nga Qeveria lidhur me këtë ngjarje ka ardhur nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se policia nuk ishte e njoftuar për mbajtjen e kësaj ngjarje.

“Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”.

Çeku theksoi se prona ku është ndërtuar kisha aktualisht është në procedurë kontestimore.

Ai bëri thirrje që asnjëra palë e cila është pjesë e procedurës gjyqësore të mos ushtrojë presion mbi gjykatat.

“Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë”.

“Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional. Mirëpo, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cënojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cënojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve”.





TË NGJASHME