Mehmeti: Të hetohet Avdullah Hoti për dallaveret me Pakon e Rimëkëmbjes

 Mehmeti: Të hetohet Avdullah Hoti për dallaveret me Pakon e Rimëkëmbjes

Shkruan Faton Mehmeti:

Para se të bëhet kryeministër, pata bërë njw shkrim me titull “Dullë tërhiqu, mund të digjesh”, në ditët kur po flitej për ndërtimin e qeverisë në kohë krize pas rrëzimit të qeverisë Kurti, në mars të vitit të kaluar”.

Ishte e ditur botërisht se Avdullah Hoti është vegël në duart e Hashimit dhe Isës, dy arkitektëve të abuzimit me pushtetin, me Dullën si mjet për të arritur qëllimet e tyre. Dhe janë pikërisht kjo dyshe, me oligarkët e tyre që kanë përfituar më së shumti nga Pakoja e Rimëkëmbjes.

Së fundi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka publikuar listën e bizneseve që kanë përfituar nga Pakoja e qeverisë Hoti për ndihmë bizneseve në kohë të pandemisë. Murati ka bërë të ditur se një gjë të tillë e ka bërë për shkak të transparencës, për të parë se si qeveria Hoti i ndau këto ndihma për biznese. Nëse shihet me kujdes të gjitha bizneset që janë pjesë e saj, janë të lidhura me pushtetin, dhe se keqpërdorimet janë shumë të mëdha. Nuk janë ndihmuar bizneset që kanë pësuar më së shumti, përkundrazi janë financuar ato biznese që s’kanë pasur asnjë dëme, përkundrazi kanë qenë përfituesit më të mëdhenj.

Marketet janë përfitues, e të cilët nuk e kanë ndalur fare punën. Rast konkret është Viva Fresh e cila u ndihmua nga qeveria Hoti me 860 mijë e 615 euro, parashtrohet pyetje, mbi cilën bazë është bërë një gjë e tillë, cilat kanë qenë kriteret, apo vetëm se ka pasur lidhje politike ?! Jo vetëm Viva, por edhe të tjerat, e të cilat nuk dihet se mbi cilat kritere kanë përfituar, janë ato që qeveria Hoti i ka ndihmuar mbi 50 biznese që përfituan më së shumti nga pako prej 60 milionë eurove, e shpërndarë nga Qeveria e kaluar në tetor të vitit 2020.

Në një shtet normal, për keqpërdorime të tilla dikush do të shkonte në burg, e këtu tek ne, një shtet anarki ku i forti bën çdo gjë dhe askush nuk jep përgjegjësi, as që ka marrë guximin ndonjë prokuror që të fillojë hetimet. Në rastin më “të keq” fillojnë hetimet, e të cilat pas zvarritjeve disa vjeçare. në fund përfundojnë me maksimumin e dënimit “dënim me kusht”.

Kjo praktikë tashmë është bërë e zakonshme, ndonëse e tëra që mund të thuhet është dështimi i drejtësisë, e cila edhe në këtë rast nuk ka guxim as të fillojë hetimet.

S’ka dyshim se me Pakon e Rimëkëmbjes është bërë dallavere e madhe, jo me kot PDK insistonte që të votohet, gjë e cila edhe ndodhi pikërisht me “vullnetin e madh” të PDK-së. Shumica e atyre që përfituan ishin të lidhur direkt me PDK ose indirekt, ishin në pyetje shuma të mëdha të parave, e cila nuk mund të lihet anash. Nën petkun e dredhive dhe mashtrimeve se “po e votojmë për të mirën e qytetarëve, “PDK u ngut që të votohej ajo pako, e cila ka gjeneruar probleme dhe padrejtësi të mëdha. Miliona euro të keqpërdorura nuk duhet të mbesin vetëm brenda kornizës së lajmeve, por të bëhet presion që njëherë të vetme drejtësia të merret me këtë rast, me fajtorët që të dalin dhe të marrin përgjegjësitë e tyre.

TË NGJASHME