Nata më e keqe për Messin e Ronaldon, karriera e tyre drejtë fundit

 Nata më e keqe për Messin e Ronaldon, karriera e tyre drejtë fundit

Ata kanë dominuar futbollin botëror për më shumë se një dekadë, duke fituar trofe të shumtë individualë dhe ekiporë.

Njëri ka fituar gjashtë “Topa të Artë”, tjetri e ndjek me pesë të tillë. Dy karriera të jetuara si dy vija paralele, edhe të dielën në mbrëmje.

Ndërsa i pari, Messi, u përjashtua me karton të kuq, për herë të parë që kur ka veshur fanellën e Barcelonës (ekipit të parë), tjetri, Cristiano Ronaldo, doli nga “San Siro” me kokën ulur, pas një performance mjerane personale dhe ekipore.

Pavarësisht nga 15 golat e shënuar deri më tani prej portugezit, të cilët e bëjnë atë aktualisht shënuesin më të mirë në Serie A, në paraqitjet e fundit Ronaldo duket mjaft i largët me kampionin e madh, të admiruar për vite me radhë.

I ngadaltë, i pasaktë, jo shumë i kthjellët edhe në pasimet më të thjeshta. Ronaldo kundër Interit përsëriti provën tashmë të keqe, të ofruar disa javë më parë në “San Siro”, kundër kuqezinjve. Por, nëse atëherë Juventusi kishte arritur të fitonte gjithsesi, këtë herë u fundos së bashku me njeriun e tij simbol.

Argjentinasi, në sekondën e fundit, u përjashtua me karton të kuq nga gjyqtari, me sinjalizimin e VAR, pasi goditi një kundërshtar dhe tani rrezikon një pezullim shembullor. Shenjë e një nervozizmi të fshehtë për muaj me radhë, midis zërave të lamtumirës nga Barcelona dhe disa performancave të kritikueshme.

Me pak fjalë, e diela, nga Milano në Seville, ishte nata e yjeve, që u rrëzuan. Nëse do të jetë një “lemzë” e thjeshtë apo fundi i një epoke, vetëm muajt e ardhshëm do të na e tregojnë.

TË NGJASHME