Nga viti i ardhshëm Kosova dhe Shqipëria të kenë një abetare të përbashkët?

 Nga viti i ardhshëm Kosova dhe Shqipëria të kenë një abetare të përbashkët?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar që nga viti i ardhshëm Kosova dhe Shqipëria do të mund të kenë një abetare të përbashkët për nxënësit.

Në mbledhjen e dy Qeverive, Rama tha se kështu kanë vendosur në mbledhjen e fundit të kabinetit të tij qeveritar.

Rama këtë njoftim ia dha edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dukë i thënë se ky vendim do t’i jep kënaqësi.

“Dëshiroj të të ndaj një gjë që e di që do të të japi kënaqësi edhe ta dëgjosh megjithëse me siguri e ke marrë vesh. Ne jemi dakorduar në qeveri, në mbledhjen e fundit që të punojmë që në vitin e ardhshëm që është edhe një vit jubilar për pavarësinë e vendit tonë, të kemi gati abetaren e unifikuar”, tha ai.

“Abetarja është një libër themelor për këdo që hyn në rrugën e arsimit dhe prej shumë vitesh tanimë është një libër i cili bazuar edhe në Ligjin e Arsimit që ne kemi njësoj si librat e tjerë është trajtuar si një tekst me shumë alternativa. Jemi dakordësuar që të kemi vetëm një abetare dhe me shumë kënaqësi dua që ta ndajmë së bashku këtë objektivë në mënyrë që nëse biem dakord sot, të kemi një abetare të gjuhës shqipe në Shqipëri në Kosovë”, theksoi ai.

Kryeministri shqiptar tha se më vonë abetarja mund të shtrihet edhe në vendet tjera të rajonit ku mësohet shqip.

“Dhe pastaj së bashku këtë abetare unike të gjuhës shqipe ta kemi në të gjithë trojet apo hapësirat ku fëmijët mësojnë të lexojnë dhe shkruajnë gjuhën shqipe”, shtoi Rama.

Kosova dhe Shqipëria, për të shtatën herë me radhë kanë nisur mbledhjen e përbashkët ndërmjet të dy qeverive.

Mbledhja po mbahet në qytetin e Elbasanit në Shqipëri.

TË TJERA