Nisma vërshoi Ministrinë e Tregtisë me të punësuar me kontrata mbi vepër

 Nisma vërshoi Ministrinë e Tregtisë me të punësuar me kontrata mbi vepër

Dhjetëra punësime me kontrata mbi vepër janë bërë vetëm në pesë ditët e fundit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Kjo Ministri që udhëhiqet nga Nisma Socialdemokrate ka nënshkruar pesë tenderë për shërbime konsulente, duke punësuar njerëz kryesisht të afërt me këtë parti. KOHA ka siguruar emrat e disa të punësuarve dhe lidhjet e tyre me këtë parti
Nisma Socialdemokrate pak para largimit nga pushteti është kujdesur që të sistemojë njerëz të partisë nëpër institucione.

Vetëm brenda katër ditësh, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë nënshkruar pesë tenderë për shërbime konsulente, përmes të cilëve janë punësuar mbi 20 persona, kryesisht të afërt me Nismën, parti kjo që udhëhoqi me këtë ministri.

KOHA, që nga e enjtja ka kërkuar një përgjigje nga MTI-ja për nevojat që ka kjo Ministri për punësime përmes kontratave për shërbime të veçanta të konsulentëve individualë, por nuk ka marrë përgjigje.

Bazuar në të dhënat e publikuara në platformën e-prokurimi, në mesin e të punësuarve ka edhe kandidatë për deputetë, e anëtarë të Nismës, e edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.

Përmes një tenderi për Marrëveshje për shërbime të MTI-së, kjo ministri ka punësuar 13 persona.

Në mesin e të punësuarve është Naser Gashi, i cili ka qenë kandidat për deputet nga Klina në zgjedhjet e fundit. Gashi ka qenë shofer i Fatmir Limajt, liderit të Nismës Socialdemokrate. Ai është punësuar si ekspert për mbikëqyrje metrologjike (AMK). Bashkë me të janë punësuar edhe 12 persona të tjerë.

KOHA nuk ka arritur që të kontaktojë me Gashin.

Me të njëjtën tender është punësuar edhe ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Islam Vrenezi. Ai është punësuar si inxhinier i ndërtimtarisë në MTI për periudhë prej 6 muajve.

KOHA ka kontaktuar Vrenezin, por ai ka thënë se është i zënë dhe nuk mund të flasë.

Një pozitë për periudhë gjashtëmujore i është siguruar edhe Sabahudin Memës, i cili ka qenë anëtar i Komisionit Komunal Zgjedhor në Kaçanik. Ai është punësuar si Zyrtar për Marka Tregtare. KOHA nuk ka arritur që të kontaktojë me Memën.

Edhe ish-kandidati për deputetë në zgjedhjet e 2014-s nga Nisma, Lumni Zejnullahu është punësuar zyrtar për marka tregtare për periudhë 6 mujore. Në bisedën me të, Zejnullahu ka thënë se ka gati dy vjet që punon në MTI me kontratë mbi vepër.

“Unë kam qenë kandidat për deputet në zgjedhjet 2014. Tani jam vetëm anëtar i thjeshtë i Nismës. Në MTI nuk jam punësuar tani, po ka gati 2 vjet që po punoj me kontratë mbi vepër, nga 6 muaj”, ka thënë Zejnullahu.

Në pozitë të njëjtë është punësuar edhe Shqipdon Shurdhaj nga Banja e Malishevës, i cili është anëtar i rinisë së Nismës në Malishevë.

Me kontratë mbi vepër është punësuar edhe Amira Isufi për periudhë 6 mujore. Në disa postime të saj në Facebook shihet se ka afërsi me partinë Nisma Socialdemokrate.

KOHA nuk ka arritur që të kontaktojë me këta persona.

Gazmend Hoti është punësuar me kontratë mbi vepër si inspektor i tregut. Ai në disa foto që ka siguruar KOHA, shihet i shoqëruar me djalin e Fatmir Limajt, Durim Limaj dhe këshilltarin e Limajt, Luan Maloku.

Por, Hoti ka thënë se foto ka edhe me liderë të partive të tjera dhe se nuk ka afërsi me asnjë parti. I pyetur për afërsinë me Nismën, ai ka mohuar një gjë të tillë.

“Unë foto kam edhe me Albin Kurtin dhe me të tjerë. Nuk i përkas asnjë partie politike”, ka theksuar Hoti.

Të gjitha këto kontrata kanë kohëzgjatje prej gjashtë muajsh deri në një vit. Vlera e një kontrate sillet rreth 3.000 euro.

Nga Ministria nuk kanë treguar as numrin e tenderëve të tillë që ka shpallur, por as sa persona janë punësuar në këtë mënyrë.

Kjo Ministri kohëve të fundit është akuzuar edhe për monopolin që ka krijuar në tregun e naftës.

TË TJERA