Nuk arriti të bëhet deputete, pushteti i Agim Aliut e punëson si drejtore në shkollën fillore “Afrim Abazi”

 Nuk arriti të bëhet deputete, pushteti i Agim Aliut e punëson si drejtore në shkollën fillore “Afrim Abazi”

Në një konkurs të fundit të shpallur për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të disa shkollave në Ferizaj, është punësuar edhe një ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Komuna e Ferizajt udhëhiqet nga Agim Aliu i PDK-së.





Mexhide Mjaku- Topalli është emëruar drejtore e shkollës fillore “Afrim Abazi” në Sherret të Ferizajt.

Sipas drejtorit të Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, të gjitha procedurat e konkursit kanë qenë në rregull.

Teksa shton se ka qenë kandidatja e vetme për këtë pozitë pune.“Unë kam bisedu edhe me kryetarin e Komisionit, dhe krejt raportet që janë të plotësuara, dokumentacioni dhe të gjitha procedurat kanë shku në rregull, sipas procedurave dhe ka qenë e vetmja kandidate që ka konkuru në postin e drejtorit të shkollës “Afrim Abazi”.

Në afatin e parë kanë qenë dy kandidatë, mirëpo sipas udhëzimit administrativ 152/20, nëse në raudin e parë nuk janë tre kandidatë, konkursi përsëritet, ndërsa nëse në raudin e dytë nuk ka asnjë kandidat vetëm një, kalon. Pra janë respektu të gjitha procedura”, ka thënë Llabjani për KALLXO.com

Ai e ka pranuar që ka qenë deputete e PDK-së, por arsyetohet me faktin se tashmë e punësuara ka një bagazh dhe një kontribut të madh në arsim.

“Është e vërtetë që Mexhidja ka qenë deputete e PDK-së, por vjen me një bagazh bukur të madh në sistemin arsimor. Ka qenë mësuese, drejtore e suksesshme, ka përfunduar shumë trajnime. Pastaj është me dy profesione, pedagoge dhe psikologe. Ka dhënë një kontribut të madh për sistemin arsimor në komunën e Ferizajt. Ne kemi zgjedhë edhe anëtarë të LDK-së apo të Aleancës sepse normalisht pranohen kur kanë përformancë të mirë”, ka shtuar drejtori i DKA-së në Ferizaj.

KALLXO.com ka marrë një qëndrim edhe nga vetë Mexhide Mjaku – Topalli.Ajo shkurt u përgjigj se iu ka nënshtruar procedurave te konkurimit.

“Sa i përket punësimit tim, iu kam nënshtruar procedurave të konkurimit si dhe të intervistimit si çdo kandidat tjetër”, ka thënë ajo.

Mexhide Mjaku Topalli, ka qenë edhe kandidate për deputete nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021, mirëpo nuk kishte arritur votat e mjaftueshme të bëhet deputete e legjislaturës së tetë.





TË NGJASHME