Nuk e kanë shkatërruar LDK-në as Isa Mustafa e as Avdullah Hoti por Albin Kurti dhe Vjosa Osmani!

 Nuk e kanë shkatërruar LDK-në as Isa Mustafa e as Avdullah Hoti por Albin Kurti dhe Vjosa Osmani!

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Fillimi i fundit të dobësimit të LDK-së: LDK-ja edhe pas shumë sulmeve, verbale dhe fizike që ia bënë kryetarit, Isa Mustafa, gjeti forcë dhe kurajo të shtrijë dorën e bashkëpunimit LV-së dhe Xhingis Kanit të saj, Albin Kurtit, duke e bërë një Koalicion të Shpresës në të cilin, naivisht pata besuar edhe unë se mund të bëjë gjëra të mira për Kosovën. E vërteta ishte se LDK-ja e hëngri në sy LV-në duke menduar se punët do të shkonin ashtu siç edhe kishin bërë marrëveshje. LDK-ja e respektoi marrëveshjen parazgjedhore pasi e humbi garën për 1 deputet, Albin Kurti u bë kryeministër dhe Vjosa Osmani që ishte kandidate e LDK-së për kryeministre, u bë kryetare e Kuvendit. Realisht, ndonëse kishte dallime të mëdha brenda LDK-së për kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre, ajo e pati përkrahjen e plotë të partisë, deri sa u bë kryetare e Kuvendit kur kursi i saj politik largohej me një shpejtësi të dritës nga LDK-ja dhe ankorohej në limanin e LV-së. Tash, për Vjosa Osmanin kryetar i saj politik nuk ishte Isa Mustafa por Albin Kurti. Veprimi fatkeq dhe i pamenduar mirë i LDK-së që në kohë pandemie ta rrëzojë qeverinë Kurti, e fiksoi Vjosa Osmanin për personalitetin e Albin Kurtit dhe që nga atëherë u bë më shumë LV se të gjithë militantët fanatikë të LV-së, të ditëve të para e jo këta që u konvertuan në LV, për një përfitim të çastit. Këta sot përbëjnë shumicën e anëtarësisë së LV-së. Çdo kush që e ka përcjell LV-në, që nga ngjizja politike e deri më sot kur fitoi 50 për qind të votave e ka këtë shumë të qartë. Albini dhe Vjosa për mrekulli e demoluan, çdo ditë e nga pak, LDK-në. Albin Kurtit shumë do t’i pengonin dy parti të forta shqiptare, PDK-ja dhe LDK-ja prandaj ishte nevojë imediate që njëra, ose të bëhej vazal i LV-së, ose të shkatërrohej. Natyrisht se PDK-ja, me Kadri Veselin, deri sa nuk e dërguan në Hagë në një bashkëpunim edhe me politikën kosovare, ishte arrë e fortë për LV-në dhe, edhe pas arrestimit politik të Kadri Veselit, PDK-ja mbeti arrë e fortë për dhëmbët e LV-së. Për këtë arsye LV-ja u drejtua kah caku më i lëndueshëm dhe kah një kala të cilës muret i ishin dobësuar, jo nga jashtë por nga brenda, nga ambiciet e sëmura për pushtet të disa eksponentëve të LDK-së që kishin mbetur pa grazhd dhe të cilët, edhe sot gjuajnë gurë dhe zjarr mbi partinë që i kishte bërë me emra dhe mbiemra dhe me identitet politik. Përpjekja e parë e LV-së dhe Albin Kurtit ishte që Vjosa Osmani të bëhej kryetare e LDK-së dhe, pas kësaj LDK-ja do të hynte në raport të vazalit ndaj LV-së.

Kur kjo përpjekje dështoi, u aktivizua plani rezervë apo opsioni i dytë për shkatërrim nga brenda të LDK-së. LDK-ja bëri gabim që, menjëherë pasi Vjosa Osmani kundërshtonte vendimet e partisë, nuk e thirri nënkryetaren e partisë të dëgjojë shqetësimet dhe propozimet e saj për LDK-në, dhe nëse do të ishin të dobishme për LDK-në, duhej të përkraheshin. Në të kundërtën është dashur menjëherë ta largojë nga të gjitha pozitat në mënyrë që të mos lejojë gërryerjen e partisë nga brenda, gjë që mjeshtërisht e bëri. Me një mësues brilant si Albin Kurti, nuk e kishte aspak vështirë. Vjosa Osmani e pranoi në një emision televiziv se, që nga marsi i vitit të kaluar ka planifikuar me Albin Kurtin çdo veprim e që e shpuri LDK-në në kolaps zgjedhor. Natyrisht, nuk jam përkrahës i LDK-së dhe as që kam qenë ndonjëherë, mirëpo kështu i shoh zhvillimet brenda LDK-së. Është interesant se, që nga marsi i vitit të kaluar e sidomos gjatë fushatës, LDK-ja ka qenë subjekti politik më i sulmuari ndërsa PDK-ja ishte kursyer bukur shumë. Kishte gazetarë të specializuar që merreshin vetëm me LDK-në duke e krijuar një percepcion që e shndërruan thuaja në fakt. Për mua rezultati i zgjedhjeve ka qenë befasi dhe, edhe në rastin më ekstrem nuk kam besuar se LDK-ja bie nën 22 për qind të votave. Madje, kam qenë i prirur të besoj se më lehtë do të bjerë PDK-ja se sa LDK-ja.
Sabotimi i zgjedhjeve nga vet LDK-ja: LDK-ja është e vetmja parti e profilizuar si e djathtë të cilës nuk mund t’i mohohet e kaluara shtetformuese e as e tashmja institucionale. Është parti që, sidomos në këtë fazë të procesit, i duhet Kosovës. Deri vonë është menduar se PDK-ja punon pareshtur për shkatërrimin e LDK-së e që, jo se nuk është krejtësisht e vërtetë por roli i LV-së, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit është pakrahasimisht më i fuqishëm për shkatërrim të LDK-së se PDK x 100. Tash, pasi Isa Mustafa dha dorëheqje filluan të rriten kërkesat për dorëheqjen e të gjithëve, në emër të përgjegjësisë për humbjen e zgjedhjeve. Natyrisht se kritikat shkojnë në adresë të Isa Mustafës, Avdullah Hotit dhe Agim Veliut dhe disa të tjerëve në mënyrë që të dominojë rryma e nënkryetares së LV-së Vjosa Osmani. Ky është qëllim dhe jo dëshira e sinqertë për rimëkëmbjen politike të LDK-së. Për dallim nga përkrahja e parezervë që iu dha në zgjedhjet e vitit 2019 Vjosa Osmanit për kryeministre, ndaj Avdullah Hoti, jo që nuk pati përkrahje të plotë por kishte sabotim nga disa krerë, biseksualë politikë që i binden Isës, sa kishte fuqi kurse tani i vardisen LV-së dhe nënkryetares së LV-së, Vjosa Osmani. Përralla janë tregimet për Listën Guxo. Ishte dhe është vetëm Lista e LV-së, ku Vjosa Osmani mori vota të shumta pikërisht në emër dhe mbiemër të Albin Kurtit dhe LV-së. LV-ja, nëse brenda LDK-së mbizotëron fryma e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, menjëherë do ta bëjë pjesë të koalicionit dhe kjo, në fakt do të ishte shuarje apo vdekje e heshtur politike e LDK-së. LDK-ja nuk duhet të ngutet me dorëheqje të imponuara dhe duhet të jetë shumë e kujdesshme se kënd do ta vë në krye të partisë. Hermafroditët politikë të LDK-së, por edhe të PDK-së po duan ta marrin flamurin e ndryshimeve dhe rimëkëmbjes politike ndonëse, edhe ashtu hanin me dy lugë apo thithnin dy cica!
Për një gjë jam shumë i sigurt; kurrë nuk ka qenë kohë më e mirë për LDK-në dhe PDK-në të kalojnë në opozitë duke i shpëtuar ferrit që na pret me një Serbi fashiste dhe një bashkësi ndërkombëtare biseksuale! Është shumë mirë që LV-ja, me disa deputetë të komunitetit joshumicë e që kanë shpëtuar nga gëlltitja e Listës Serbe, do ta formojë qeverinë që do të jetë qeveri e pakicës dhe që i ka marrë të gjitha përgjegjësitë për proceset që e presin Kosovën. LV-ja dhe Xhingis Kani i saj, Albin Kurti e kanë kohën dhe mundësitë të dëshmohen, duhet të përkrahen nga të gjithë ata që iu kanë kërkuar përkrahje. Opozita duhet të votojë formimin dhe konsolidimin e të gjitha institucioneve, pa asnjë vonesë dhe, së fundi pasi Albin Kurti i ka përjashtuar nga orbita e vendimmarrjes politike, nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta, duhet të punojnë për këndelljen e tyre politike duke mos e marrë asnjë përgjegjësi për dialog me Serbinë, formimin apo deformimin e Zajednicës dhe proceseve tjera. Albin Kurtit dhe LV-së duket se i mjafton Vjosa Osmani, si presidente krejtësisht kukull, Hydajet Hyseni, oportunist gjenial i përmasave ndërkombëtare, si kryetar Kuvendi dhe Albin Kurti, si kryeministër i LV-së dhe një pjese të deputetëve të komunitetit joshumicë. Kam pritë që Albin Kurti, si fitues absolut i zgjedhjeve, puna e parë që do ta bëjë si kryeministër, do ta shtrijë dorën e pajtimit me opozitën, jo duke e bërë pjesë të qeverisë por duke treguar respekt dhe ndershmëri për 44 vota shqiptare, e që nuk mund të llogariten si të papërfillshme. Rezultati i këtyre zgjedhjeve e ka futur Albin Kurtin në Labirint me shumë të panjohura dhe e ka liruar opozitën nga çdo përgjegjësi, duket me dëshirën dhe vullnetin e Albin Kurtit! Uroj që Albin Kurti të punojë mirë, të ketë sukses në rolin që ia ka caktuar vetës si Mesia i Kosovës sepse, në fund të fundit është qëllim dhe interes i qytetarëve të jetojnë më mirë dhe të kenë perspektivë. Në asnjë mënyrë nuk do t’i gëzohem dështimit eventual të Albin Kurtit por, nëse e kam parasysh qëndrimin e tij pas fitores absolute sikur edhe shock listës për deputetë, i kam dyshimet e mija. Albin Kurti, ose do të qëndrojë në pushtet dy mandate, ose do të fillojë të çalojë pas një viti. Do ta shohim. Shumë shpejt. E presin bisedimet me një Serbi fashiste, një bashkësi ndërkombëtare që haptazi ia mbanë zhagun Serbisë dhe një situatë të rënduar shumë ekonomike. Dhe, përkundër të gjitha këtyre, Albin Kurti po i injoron 44 vota shqiptare. Gabim i madh dhe me pasoja. Premtimet e Albin Kurtit për një drejtësi sociale sipas parimit të ndarjes së ushqimit me një garuzhdë të vetme, pa një perspektivë të qartë zhvillimore do të sigurojë vetëm mbijetesën. Përkrahja materiale e bashkësisë ndërkombëtare do të kushtëzohet me lëshime politike dhe kjo do të jetë e pashmangshme. Mos të ngutemi përkundër faktit se zhvillimi i ngjarjeve do të ecën shpejt! Dhe, do të jetë vështirë ta përcjellim këtë shpejtësi!

TË NGJASHME