Nuk luan prej dy vitesh te Shqipëria, apo kthehet Taulant Xhaka

 Nuk luan prej dy vitesh te Shqipëria, apo kthehet Taulant Xhaka

Taulant Xhaka ka një kontribut të madh në kualifikimin e Shqipërisë në “Euro 2016” por gjithashtu njihet edhe për temperamentin e tij të lartë.

Kujtojmë nervozizmin në Europian në ndeshjen ndaj Zvicrës ku ai pati një përplasje me ish-trajnerin De Biasi dhe hodhi shishen e ujit drejt bankinës.

Për këtë veprim Xhaka u la edhe në stol në ndeshjet pasuese. Por tani jemi në një tjetër rast, nuk bëhet fjalë nëse do të luajë apo jo, por a do të grumbullohet në Kombëtare në muajin tetor. Marrëdhëniet e mesfushorit me FSHF-në janë të mira, por raporti i tij me teknikun Reja tregon se ka një ftohje mes tyre. Xhaka nuk është pjesë e Kombëtares që në tetor të vitit 2019, ndeshja e tij e fundit me kuqezinjtë është ajo ndaj Islandës të cilën e ndoqi nga stoli, shkruan panoramasport.

Në ftesën e fundit që pati nga FSHF-ja ai dha si justifikim një dëmtim që nuk e linte të ishte i gatshëm për Kombëtaren. Dëmtimet e shumta ja kanë zbehur pak karrierën mesfushorit të Bazelit i cili ngeli në hije për një kohë të konsiderueshme.

Shanset- 30- vjeçari ka nisur një sezon të mirë, po luan rregullisht dhe mund të merret në konsideratë nga Reja për dy sfidat e radhës.

Problemi i vetëm i Xhakës është që shanset për të zënë një vend titullari janë të pakta. Me ardhjen e Nedim Bajramit, Reja ka ndryshuar edhe skemën duke kaluar nga një 3-5-2 në një 3-4-2-1. Me modulin e ri nuk ka shumë hapësirë për Xhakën pasi në qendër të mesfushës luhet me dy dhe konkurrenca është tepër e lartë, gjë për të cilën edhe vetë Xhaka është i vetëdijshëm.

Por në rast të një dëmtimi ose ngarkese fizike mesfushori do të ishte një zgjidhje e duhur pasi edhe eksperienca e tij nuk është e vogël. Shqiptari debutoi me përfaqësuesen në 7 shtator të vitit 2014 dhe gjithsej numëron 30 ndeshje. Nëse do të kemi ndonjë rikthim në Kombëtare për Taulant Xhakën do të duhet të presim pasi këto ditë do të publikohet lista e lojtarëve të grumbulluar.

TË TJERA