Pritet rrëzimi i qeverisë në Malin e Zi, Abazoviqi kryeministër i ardhshëm

 Pritet rrëzimi i qeverisë në Malin e Zi, Abazoviqi kryeministër i ardhshëm

Kreu i Lëvizjes Qytetarë URA, Dritan Abazoviq, aktualisht zëvendëskryeministër në Malin e Zi, do të jetë kryeministri i ardhshëm i këtij vendi.





Burime brenda kësaj lëvizje bëjnë të ditur për arbresh.info se qeveria e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq do të rrëzohet duke ardhur në krye të ekzekutivit malazez Abazoviqi.

“Dakordimi është me Milon [Gjukanoviq], dhe do të bëhet. Ai [Abazoviqi] e ka paralajmëruar qeverinë publikisht”, thotë ky burim për arbresh.info.

Partia Demokratike e Socialistëve të Malit të Zi, e Milo Gjukanoviqit, aktualisht është partia më e madhe opozitare me 30 ulëse në Parlamentit e Malit të Zi. Tri parti tjera më të vogla kanë nga tre deputetë dhe një deputet është i pavarur. URA e Abazoviqit ka katër ulëse në Parlament.

Vetë kreu i URA, Dritan Abazoviq, paralajmëroi ditë më parë për mediet në Malin e Zi se nuk do të lejojë udhëheqje nga Serbia, duke e konsideruar si vijë të kuqe.

“Nuk është e pamundur që të mos kemi [edhe] një kryeministër të ri. Unë do ta rrëzoja Qeverinë”, tha Abazoviq për Vijesti.

Telashet mes udhëheqësve të ekzekutivit u theksuan pas trazirave që kanë përcjellë shugurimin e mitropolitit të Kishës Ortodoske Serbe në Mal të Zi, Joanikije, më 5 shtator.

Më shumë se 50 persona janë plagosur në përleshjet midis policisë dhe protestuesve, që kishin bllokuar hyrjet në qytetin e Cetinës, duke detyruar Joanikije të dërgohet në Manastirin e Cetinës me helikopter ushtarak.

Parlamenti i Malit të Zi ka 81 ulëse dhe nga zgjedhjet e vitit të kaluar lëvizja e Abazoviqit mori katër ulëse.

Aktualisht partitë opozitare përbëjnë 40 ulëse, dhe nga rrëzimi i qeverisë aktuale këtyre partive pritet t’i bashkohet Abazoviqi duke bërë kështu shumicën për të formuar ekzekutivin e ri në krye me Abazoviqin.

Vetë Gjukanoviqi në prill të këtij viti pati deklaruar se është e mundur të arrihet një koalicion më i gjerë dhe mendon se do të ishte i dobishëm për Malin e Zi.

“Na duhet të na jepet një shans dhe mendoj se do ta institucionalizojmë atë shumë shpejt”, pati deklaruar ai, duke shtuar se sheh potenciale demokratike në Lëvizjen Qytetare të URA-s së Dritan Abazoviqit./arbresh.info





TË NGJASHME