Rama takohet me Blinken sot në Bruksel, takimi i parë pasi SHBA shpalli Berishën ‘non grata’

 Rama takohet me Blinken sot në Bruksel, takimi i parë pasi SHBA shpalli Berishën ‘non grata’

Kryeministri Edi Rama do të takohet sot me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken. Takimi i rëndësishëm do të zhvillohet në orën 17:30 në Bruksel. Njoftimin e ka dhënë sot Departamenti Amerikan i Shtetit. Takimi sipas DASH do të zhvillohet para Samitit të NATO-s që zhvillohet nesër në Kryeqytetin belg.

Ky është takimi i parë që Sekretari Blinken zhvillon me drejtues të shtetit shqiptar pas vendimit ekstrem që firmosi për të shpallur ‘non grata’ ish-Kryeministrin Sali Berisha.

Blinken ndodhet në Europë për të shoqëruar Presidentin e SHBA, Joe Biden gjatë vizitave të tij në Britaninë e Madhe, Belgjikë e Zvicër. Blinken do e shoqërojë Bidenin edhe në Samitin e NATO-s më 14 qershor dhe në Samitin SHBA-BE më 15 qershor. Në fund ai do të jetë pjesë edhe e takimit Biden-Putin në Gjenevë.

Në 19 maj 2021, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi se kishe firmosur fundin palavdishëm të Sali Berishës, duke e futur në listën e zezë, bashkë me familjen, për korrupsionin të rëndësishëm, përdorimin e pushtetit për t’u pasuruar, mbrojtjen e vetes, familjes dhe aleatëve në afera nga veprimi i drejtësisë si dhe për minim të demokracisë në Shqipëri. Sali Berisha lëvizi me shpejtësi duke tentuar të mjegullonte, të manipulonte dhe zbuste forcën e goditjes nga SHBA, duke e personalizuar vendimin si një akt i Antony Blinken dhe akuzuar Sorosin si lobues i vendimit të DASH. Krahas thurjes së kësaj gënjeshtre në sytë e PD dhe demokratëve, Berisha nisi edhe një fushatë lobimi në SHBA, për të sulmuar vendimin e shpalljes non grata.

Ndërkohë që më 8 qershor 2021, Presidenti amerikan Joe Biden nxori një urdhër të ri ekzekutiv, për bllokimin e pasurive të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në afera korruptive dhe që janë angazhuar për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Urdhri konsiderohet si një tjetër goditje për Sali Berishën, pasi është rrjedhojë e njoftimit të DASH të datës 19 maj për ta përfshirë në listën e zezë si dhe e memorandumit të datës 3 qershor për t’i shpallur luftë korrupsionit edhe jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

TË NGJASHME