Rrahman Jasharajn e gëzon lajmi se mësimdhënësit do të vaksinohen në Shqipëri

 Rrahman Jasharajn e gëzon lajmi se mësimdhënësit do të vaksinohen në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi se mësuesit e Kosovës do të vaksinohen në Shqipëri, pas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti. E vendimi i Ramës e ka gëzuar kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharajn.

Jasharaj ka konfirmuar se i kanë dërguar një letër ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vaksinimin e punëtorëve të sistemi arsimor.

I pari i SBASHK-ut tha se letra ministrit i është dërguar në fillim të javës, por deri më tani ata nuk kanë marrë ndonjë përgjigje dhe se janë ende në pritje.

Ndërkohë, për gatishmërinë e Shqipërisë që të vaksinojë mësimdhënësit kosovarë, Jasharaj u shpreh i gëzuar.

“Këtë lajm nuk e kemi ende zyrtar mirëpo na gëzon fakti dhe pasi që një rast ishte me mantel-bardhët kosovarë. E përgëzojmë kryeministrin dhe shtetin shqiptar për gatishmëri, besoj që Ministria e Shëndetësisë do të jetë në bashkëpunim me ne”, deklaroi ai për Periskopin.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u shpreh se si vend janë krenarë që po ndihmojnë Kosovën dhe pas vaksinimit të mjekëve, do të nisë tashmë edhe vaksinimi i mësuesve.

“Ne jemi shumë krenarë që po ndihmojë edhe Kosovën, që po ndihmojmë mjekët e Kosovës. Më çoi një mesazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke më falënderuar dhe duke më thënë që ‘meqë ata morën disa mijëra vaksina dhe do vaksinojë mjekët, do të dëshironte që ne të ndihmonim mësuesit. po, i thash, patjetër. Ne do të japim ato që duhet dhe që mundemi që të vaksinohet edhe mësuesit e Kosovës. Sigurisht”, deklaroi Rama.

Ndryshe, në Kosovë disa shkolla janë duke zhvilluar mësimin online për shkak të numrit të rasteve pozitive me COVID-19. Rrahman Jasharaj vazhdimisht ka kërkuar që mësimdhënësit të jenë prioritet për vaksinim.

TË NGJASHME