Rrëfimi i Isuf Llumicës: Karriera, lëndimi dhe si e sheh ai sot Superligën e Kosovës

 Rrëfimi i Isuf Llumicës: Karriera, lëndimi dhe si e sheh ai sot Superligën e Kosovës

Ish ylli i Prishtinës dhe Përfaqësueses së Kosovës, komentoi lëndimin që e detyroi t’i jepte fund karrierës më herët se që e kishte imagjinuar.

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Isuf Llumnica, në një intervistë për “FrontOnline” është rrëfyer për karrierën e tij si futbollist, për aventurën në futbollin e Kosovës, por edhe në Zvicër te Winterthuri.

Kohë më parë vlerësuar si njëri prej futbollistëve më të mirë në futbollin kosovar.

Karrierën si futbollist e ka nisur te Kosova e Prishtinës, emër bëri me klubin më të madh në vend, Prishtinën, teksa në vitin 2008 u shpall edhe futbollisti më i mirë në vend falë paraqitjeve të mira me skuadrën kryeqytetase.

Paraqitjet e mira të tij bën që Llumnica të ftohej edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës në vitit 2006.

Përveç Prishtinës dhe Kosovës së Prishtinës, Isufi bëri karrierë edhe te Flamurtari dhe Trepça ’89, derisa ai ra edhe në sy të klubeve evropiane. Klubi i njohur zviceran, Winterthur ishte bindur nga paraqitjet e Llumnicës, të cilin kishin vendosur ta transferonin nga Prishtina.

Në WInterthur, ai luajti për një vit e gjysmë, derisa bashkëlojtar e kishte edhe Ermir Lenjanin si dhe Remo Fouler i cili sot luan tek Atalanta dhe Përfaqësuesja e Zvicrës.

Me Winterthurin, Llumnica u dallua mjaft shumë, derisa kishte luajtur ndaj Baselit të Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës në çerekfinale të Kupës së Zvicrës, teksa gol i shënoi edhe Young Boysit në Kupë.

Pas rikthimit në futbollin e Kosovës, Llumnica e pësoi një lëndim fatkeq në stërvitje me Prishtinën, i cili e detyroi atë t’i jap fund karrierës së bujshme që kishte pasur në futbollin kosovar.

“Te Prishtina ka qenë një nga periudhat më të ndritshme në karrierën time. Aty kam fituar gjithçka, madje edhe çmimin e lojtarit më të mirë të vitit. Pra, do ta quaja kohë të artë në karrierën time sa isha pjesë e Prishtinës”, e nis rrëfimin Isuf Llumnica.

Te Prishtina, Llumnica punoi me trajnerë të njohur si Afrim Tovërlani, Kujtim Shala, Ramiz Krasniqi dhe Fadil Muriqi, por ai thotë se e ka shijuar më së shumti punën me “Tokin”.

“Të gjithë këta ishin trajnerë të mirë dhe të respektueshëm, por me Afrim Tovërlanin ishte shumë kënaqësi të punosh me të”, thekson 37-vjeçari, duke folur më tej për dallimet në futbollin kosovar mes asaj kohe dhe tani.

“Dallimi i vetëm është te kushtet financiare, edhe në infrastrukturë, ndërkaq nuk shoh asnjë dallim tjetër në cilësinë e lojës”.

Llumnica që ka fituar tituj të ligës, kupës dhe çmimin e më të mirit të vitit në Kosovës, është i lumtur që i ka ardhur rasti të luajë edhe në Zvicër.

“Ishte një aventurë shumë e mirë në Zvicër me Ëinterthurin. Të luash në një ligë profesionale, me të gjitha kushtet që i duhen një futbollisti, ka qenë kënaqësi e madhe për mua”, theksoi ai, duke folur më pas edhe për periudhën kur e pësoi lëndimin që e pensionoi nga futbolli.

“Periudha kur kam pësuar lëndimin në stërvitje me Prishtinën që ma ndali karrierën, ishte më e keqja e jetës sime”, nënvizoi Isuf Llumnica. Më tej, ai ka komentuar edhe luftën për titull në Superligën e Kosovës, derisa ish-skuadrën e tij, Prishtinën e sheh favorite për të triumfuar.

“Është një luftë shumë e ashpër për titull. Të tri skuadrat e para në renditje janë shumë të forta. Mirëpo, besoj se Prishtina do të dalë kampione”, thotë ai.

Për fund, Isufi ka folur edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, për të cilën beson se ka të ardhme të ndritur.

“E kemi një përfaqësuese të shkëlqyer, me lojtarë shumë të mirë dhe besoj se këta djelmosha kanë një të ardhme të ndritur”, përfundoi Isuf Llumnica.

TË NGJASHME