Serbia tërheq automjetet e blinduara nga kufiri me Kosovën

 Serbia tërheq automjetet e blinduara nga kufiri me Kosovën

Mjetet e blinduara të ushtrisë së Serbisë, që të hënën, ishin vendosur në afërsi të kufirit me Kosovën, sot janë larguar, ka bërë të ditur N1.info.





Dy mjetet të blinduara “Lazar” dhe dy të tjera “Milosh” ishin stacionuar në Rashkë, dy kilometra larg kufirit në Jarinjë.

“Raportohet se ushtria është tërhequr në kazermën e Rashkës”, shkruan N1.info.

Ato ishin stacionuar buzë rrugës, ndërkohë që ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, në disa raste tha se ushtria ka rritur gatishmërinë luftarake.

Kjo lëvizje e ushtrisë serbe si dhe patrullimi i helikopterëve e aeroplanëve ushtarakë në afërsi të vijës kufitare kishte rritur tensionin në veri, ku serbët tash e 10 ditë kanë bllokuar rrugët, të pakënaqur me masën e reciprocitetit për targat e veturave të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Pas kësaj, edhe KFOR-i ka shtuar numrin e pjesëtarëve dhe patrullimet në veri të vendit.

Rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbët.

Presidenti Aleksandar Vuçiq ka falënderuar serbët që po qëndrojnë në rrugë, duke i bllokuar ato.





TË TJERA