Sërish dështon seanca ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve: Mungon Astrit Haraqija

 Sërish dështon seanca ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve: Mungon Astrit Haraqija

Ukë Rugova, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani, kanë dalur para trupit gjykues për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë Speciale për skandalin me viza italiane.

Por seanca ndaj tyre dështoj të mbahet pasi i akuzuari Astrit Haraqija nuk ishte prezent në gjykatë.

Ndryshe, ky gjykim ka filluar rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar afro 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Ndryshe edhe seanca e paraparë për 11 mars kishte dështuar të mbahet edhe pse kishin kaluar më shumë se 1 vit prej kur ishte mbajtur seanca e fundit në këtë rast.

Teki Bokshi, avokati i cili e mbron te akuzuarin Astrit Haraqija tha se i mbrojturi i tij nuk mund te jetë në seancë për shkaqe shëndetësore.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku tha se pasi që nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta do të vazhdohet për datë 16 prill.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej te cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Po ashtu edhe të akuzuarit e tjerë të këtij procesi penal të ndarë në “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.

TË NGJASHME