Shfaqet edhe në Kosovë virusi që shkatërron shijen

 Shfaqet edhe në Kosovë virusi që shkatërron shijen

“Sa herë ha mish më vjen për të vjellë më duket se është i prishur” , kështu është shprehur, E.K nga Fushë Kosova, e cila e ka kaluar virusin COVID-19 para dy muajsh.

Mirëpo e njëjta ka vazhduar të ketë probleme me shijen në ushqim edhe pasi u shërua e në test më nuk doli pozitive.

“E kam kaluar COVID-19 para dy muajsh. Problemet që kam ende mendoja se ishin efektet apo pas simptomat e COVID-19, derisa kam lexuar në mediat e huaja për Parasomia-n. Pikërisht ashtu po ndihem, kur ha mish më vjen me i qit zorrët jashtë, më doket sikur është i kalbur. Ndjej vetëm shijen e bukës dhe të ujit çdo ushqim tjetër për mua shijon më keq, e ka aromë si mbeturina por veçanërisht nëse ha mish”, është shprehur E.K për Gazetën inFokus.

Një problem të tillë duket të ketë pasur edhe V.M nga Klina.

Edhe pse nuk është testuar ajo thotë se e ka kaluar virusin COVID-19 pasi kishte pasur të gjitha simptomat dhe ishte mbyllur për 2 javë në shtëpi.

Në një intervistë për Gazetën inFokus ajo ka shprehur shqetësimet e saj që i ka që nga muaji shkurt.

“Nuk jam testuar mirëpo i kam pas shumicën e simptomave dhe kam qëndruar e mbyllur për 2 javë në shtëpi, derisa jam ndje pak më mirë. Por nga ajo që nuk kisha fare shije, tash kam një shije të tmerrshme për çdo ushqim që ha. Më duket sikur gjithçka ka shije të vajit të ullirit të djegur. Kështu jam prej muajit shkurt, kam filluar po ha shumë pak për shkak se çdo ushqim më duket se ka një shije sikur është prishur. Kjo më ndodh sidomos nëse pi kafe ose ha mish. Shijen e kafen nuk mundem me përballu aq e keqe sa më duket’, ka deklaruar kjo qytetare nga Klina.

“Vetëm në ujë, bukë dhe djathë e ndjej shijen normale, në asgjë tjetër”, ka shtuar ajo.

E që në Kosovë ka pasur raste të tilla, për Gazetën inFokus e ka konfirmuar edhe, infektologu, Sali Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se kanë pasur raste kur personat me COVID-19 por edhe ata që e kanë kaluar këtë virus, janë përballë më çrregullime të shijes në ushqime.

“Raste të humbjes së shijes por edhe të çrregullimit të saj kemi pasur, pra humbja e erës e shijes, ndryshimi i shijes”, ka thënë ai.

Ai ka treguar edhe kohën se kur këto raste ishin më të përhapura.

“Kemi pacientë me këtë simptomë, por ka qenë më e përhapur para dy tre muajsh kohëve të fundit e kam hasur më pak”, ka thënë ai.

E raste të këtij çrregullimi siç konfirmon edhe infektologu kosovar ka edhe pas shërimit nga virusi COVID-19.

“Disa e kanë pas gjatë kohës kur kanë qenë të infektuar mirëpo ka të tillë që e kanë pasur edhe pas shërimit nga COVID-19, dhe iu ka qëndruar për një kohë më të gjatë”, ka deklaruar Ahmeti.

Një shqetësim të tillë qytetarët në Kosovë kanë filluar ta shfaqin edhe në rrjetet sociale.

E sipas ekspertëve shëndetësorë në botë kjo po konsiderohet më shumë “pas simptomë” e virusit COVID-19 apo shtrembërim i shqisave të nuhatjes dhe të shijes si pasojë e këtij virusi.

Kjo ‘pas simptomë” është quajtur ‘Parosmia’.

Parosmia është një ndryshim në perceptimin normal të aromave, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit (NIH).

“Zakonisht nuk zgjat përgjithmonë, por mund të vazhdojë për ca kohë”, thotë Eric Holbrook, drejtor i rinologjisë në Massachusetts Eye and Ear dhe profesor i asociuar në Otolaringologji – Kirurgjia e Kokës dhe Qafës në Shkollën Mjekësore të Harëardit.

Sipas Holbrook shumica e njerëzve shërohen brenda dy deri në katër javë, por tek disa mund të zgjas edhe më gjatë.

Njerëzit në rrjete sociale kanë përshkruar një sërë aromash, përfshirë mbeturinat dhe madje edhe vajin e foshnjës. Por, Parosmia sipas mjekëve thjesht do të thotë që nuhatja të ndryshohet në një farë mënyre.

“Të gjithë duket se kanë një përvojë disi unike”, thotë Dr. Holbrook, por sipas tij në shumë raste, nuk është e këndshme.

TË NGJASHME