Sot Qeveria voton për sekretariatin e përbashkët Kosovë – Shqipëri

 Sot Qeveria voton për sekretariatin e përbashkët Kosovë – Shqipëri

Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e radhës në orën 10:00.

Në rend të ditës janë caktuar 14 pika për shqyrtim.

Në pikën 8 të rendit të ditës pritet të bëhet shqyrtimi i Memorandumit të Bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për krijimin e sekretariatit koordinues ndërqeveritar.

Theksojmë se në takimin që kanë pasur para thuajse një muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama janë dakorduar që të ketë një sekretariat të përbashkët koordinues, i cili do të bashkërendojë punët dhe marrëveshjet.

Kryeministri kosovar ka zbuluar se udhëheqës i këtij sekretariati do të jetë Gentian Sala, i cili ka dy pasaporta. Atë të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Por kush është Gentian Sala?

Gentian Sala është emër i njohur në Shqipëri. Ai në vitin 2014 ishte zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

Ai ishte bërë temë diskutimi në mediat e Tiranës për shkak të pasurisë së madhe të deklaruar, pa çka Sala në një intervistë të gjatë kishte sqaruar secilin aset të tij.

Në takimin mes kryeministrave shqiptarë, Edi Rama e Albin Kurti, u dakordua që të ketë një sekretariat të përbashkët koordinues që do të bashkërëndojë punët dhe marrëveshjet.

Kryeministri Kurti ka zbuluar se kush do të jetë udhëheqës i këtij sekretariati, i cili pritet të ketë mjaft punë në mes të nëntorit të këtij viti, kur edhe pritet të mbahet mbledhja e radhës mes dy qeverive, shkruan “Zëri”.

“Udhëheqës i këtij sekretariati do të jetë Gentian Sala, i cili ka dy pasaporta. Atë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2001. Në vitin 2008 kreu studimet Master për “Studime Evropiane” në Universitetin e Tiranës.

Që nga viti 2009 – 2014 ka qenë drejtor i projektit “Blej Shqip”, një organizatë jofitimprurëse që merret me promovimin e prodhimeve shqiptare. Pas studimeve universitare për një periudhë njëvjeçare nisi të punonte si asistent i ministrit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik.

Sala ka qenë aktivist prej katër vitesh në Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Kryesisht, ka marrë pjesë në disa projekte dhe aktivitete, nga ku mund të përmendim mbledhjen e fakteve dhe dëshmive të gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës së luftës në vitin 1999 si dhe pjesëmarrjen e tij në projektin e monitorimit të burgjeve dhe dhomave të paraburgimit në Shqipëri.

Ai ka një eksperiencë dhjetëvjeçare si administrator dhe njëkohësisht aksionar në kompani të ndryshme shqiptare.

Në nëntor të vitit 2014 u zgjodh nga Parlamenti shqiptar si kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Ai mban titullin avokat që nga viti 2004 dhe zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

TË TJERA