Tragjedi e madhe në Bullgari, 46 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut vdesin në një aksident trafiku

 Tragjedi e madhe në Bullgari, 46 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut vdesin në një aksident trafiku

Së paku 46 persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në të cilin një autobus nga Maqedonia e Veriut ka marrë flakë në autostradën “Struma” në Bullgari, njofton BGNES.

Në autobus udhëtonin 52 persona. Mes të vdekurve janë 12 të mitur, mes tyre dy binjakë. Në aksident ka humbur jetën edhe shoferi. Gjashtë të mbijetuar u pranuan në spitalin Pirogov në Sofje. Mbrëmë pak pas orës 21:00 autobusi ka hyrë në pikën kufitare Kapitan Andreevo. Rreth orës 03:00 ka ndodhur një aksident trafiku në autostradën në drejtim të Sofjes – Bllagoevgradit.

Autobusi është me regjistrim të Maqedonisë së Veriut, konfirmoi shefi i Shërbimit zjarrfikës Nikolaj Nikollov.
Pjesa e autostradës ku ka ndodhur aksidenti ka shumë probleme, gropat po rregullohen gjatë gjithë verës, tha për BTV ekspertja e rrugëve Diana Rusinova.

Presidenti Rumen Radev dhe kryeministri i përkohshëm i Bullgarisë Stefan Janev kanë biseduar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Ata e informuan për të gjitha informacionet që kishin për aksidentin e rëndë. Zaev shprehu ngushëllime për viktimat dhe njoftoi se po niset për në Bullgari për të vizituar të mbijetuarit.

Për shkak të aksidentit të rëndë trafiku në kilometrin e 31 të autostradës “Struma” në drejtim nga Sofja në Bllagoevgrad, autostrada do të qëndrojë e mbyllur gjatë gjithë ditës, së paku në drejtim të Bllagoevgradit. Një aksident autobusi në atë pjesë të Bullgarisë ka ndodhur edhe në vitin 1996, 16 persona kanë vdekur, por atëherë nuk ka pasur autostradë, raporton BGNES.

TË TJERA