Ushtarët amerikanë të NATO-s po marrin në dorë veriun

 Ushtarët amerikanë të NATO-s po marrin në dorë veriun

Të shtunën, më 2 tetor, ka nisur zhbllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.





Në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, në afërsi të këtyre dy pikave kufitare janë parë pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ekipet e Radios Evropa e Lirë në të dyja këto pika, kanë raportuar se serbët lokalë, të cilët kanë bllokuar rrugën tash e sa ditë, kanë ndezur kamionët e tyre dhe pritet të largohen nga këto hapësira.

Deri në oren 08:00, njëra korsi e rrugës në Jarinjë është liruar nga protestuesit. Ata kanë nisur t’i mbledhin gjësendet e tyre dhe pritet të largohen bashkë me kamionët.

Edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është gati për t’u larguar.

KFOR-i në Jarinjë dhe Bërnjak
Këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.

Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhet të heqin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.

Këtë masë, Serbia e zbaton për makinat me regjistrim të Republikës së Kosovës tash e sa vjet.

Por, delegacionet e këtyre dy shteteve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.





TË TJERA