Vdes një person në Deçan, i njëjti dje kërkoi ndihmë mjekësore me dyshimet për helmim

 Vdes një person në Deçan, i njëjti dje kërkoi ndihmë mjekësore me dyshimet për helmim

Mbrëmjen e sotme ka ndërruar jetë 55-vjeçari Zenel Lokaj nga fshati Prejlep i Komunës së Deçanit. Indeksonline nga burimet e veta mëson se i njëjti dje kishte kërkuar ndihmë mjekësore me dyshimet për helmim.





Vdekjen e tij për e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Personi është dërguar fillimisht në QKMF – Deçan, Policia është informuar për një person që nuk e ka gjendjen e mirë shëndetësore, Policia ka shku në atë lokacion bashkë me autoambulancën e më pas është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë. Rreth orës 21:00 jemi njoftuar se personi ka ndërru jetë. Këtë e ka konstatu ekipi mjekësor”, tha Rugova.

Indeksonline mëson se, 55-vjeçari gjatë ditës së djeshme kishte kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e Deçanit me dyshimin për helmim.

Lidhur me rastin, Indeksonline ka kontaktuar drejtorin e QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha, i cili po ashtu konfirmoi vdekjen e tij, por tha se vdekja e tij është për shkak të infarktit.

“Tash më njoftoi Policia se i njëjti ka pas infarkt. Dje ka marrë ndihmë mjekësore në Deçan, është anku për dhimbje barku por nuk ka lidhje me helmim“, u shpreh ai.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.

Kujtojmë që rreth 900 qytetarë të Komunës së Deçanit, që nga e shtuna kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të disa simptomave të helmimit.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj kishte deklaruar se dyshimet janë që simptomat të kenë ardhur nga uji i pijes.

Ndërsa drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, mohoi se mund të ketë kontaminim eventual të ujit, sipas analizave dhe rezultateve të deritashme.

Ramadani ka thënë se janë marrë mostrat e analizimit të ujit të gjashtë fshatrave të Deçanit për të parë arsyet e ankesave të qytetarëve.

“Mostrat kanë rezultuar në kufijtë e së lejueshmes në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian”, tha ai teksa shtoi se duhet të priten analizat përfundimtare edhe për disa orë./Indeksonline/





TË NGJASHME