Zbulohet edhe një rast i dhunës: 30 vjeçari bëhet për spital nga polici vetëm se nuk kishte maskë

 Zbulohet edhe një rast i dhunës: 30 vjeçari bëhet për spital nga polici vetëm se nuk kishte maskë

P.Sh. ka rrëfyer dajakun që mori mesditën e 20 shtatorit të 2020, nga polici V.M, i cili e kishte ndaluar për mosvendosje të maskës. Kraharor i nxirë, gjoks i ndrydhur, dorë me gjak të mpirë, janë disa nga lëndimet që 30 vjeçari mori nga boksi i një polici të ri në moshë.

P.Sh po shëtiste në Parkun tek pishat e Sllatinës mesditën e 20 shtatorit, kur u ndalua nga dy policë, një burrë dhe një grua, V.M dhe M.H, të cilët ishin më miqësor në legjitimimin e parë krahasuar me ato që ndodhën pak minuta më vonë.

Polici V.M e kishte ndaluar P.Sh dhe shoqëruesin e tij A.K për arsyes se nuk kishin maskë. Pasi ishin arsyetuar se i kanë harruar, që të dy u lanë të ecin lirshëm. Pak minuta më vonë, të njëjtët policë iu kthyen sërish të rinjve. Pyetja ishte e njëjtë. Po ashtu edhe arsyetimi. Mirëpo, jo edhe fundi.

Nga disa metra më larg, një polic civil kishte thënë diçka dhe i ishte afruar dy të rinjve që po legjitimoheshin nga dy policët me uniformë. “Pse nuk po e ngjet maskën, a nuk po e ngon policin a?”, i ishte drejtuar civili 30 vjeçarit P.Sh. Arsyetimi kishte qenë i njëjtë, ndërkohë që civili i kishte kapur dorën. P.Sh thotë se iu arsyetua se nuk e kundërshtoi policin dhe kishte potencuar se e kishte harruar maskën.

Me gjithë arsyetimin, civili i kishte kapur dhe dredhuar dorën. P.Sh thotë se i kërkoi ta lëshonte pasi kishte dhimbje. Kjo kërkesë duket se ka bërë nervoz civilin i cili i urdhëroi policët ta dërgojnë në stacion. Me të shkuar tek vetura, P.Sh rrëfen se ka marrë goditjet e para.

“Më ka përplas për kerrit, më ka godit me boks në bark edhe civili më ka godit me shuplakë edhe është largu”, rrëfen 30 vjeçari për Reporteri.net.

Polici V.M e mori në veturë dhe i qëndroi nga ana e djathë e P.Sh. Siç rrëfen ky i fundit, gjatë ecjes drejt stacionit me veturë u godit në bri, kraharor e gjoks. Shenjat i tregon përmes fotografive që i ka bërë atë ditë. Goditjet ai i përshkruan të forta dhe shprehet i habitur kur e kujton se të gjitha vinin pasi thjesht kishte harruar maskën.

Goditjet ishin aq të shpeshta, sa P.Sh thotë se iu kërkoi policve që ta vrisnin nëse, siç thotë ai, “kanë vendosur ta mbysin”, ta nxirrnin revolen dhe të gjuanin mbi të. Burri nga Sllatina kujton një moment që, sipas tij, ishte i rëndë. “A po don me ta bo edhe nji krug?”, thotë t’i ketë thënë polici V.M, duke nënkuptuar qëndrim më të gjatë në veturë që, sipas viktimës, nënkupton më shumë grushta.

P.Sh thotë se kanë arritur në Stacionin Policor në Fushë Kosovë dhe aty kishin qëndruar disa zyrtarë policorë. V.M thotë se e goditi sërish, duke e përplasur për një komodine të hekurt.

Ndërkohë, e rrahura kishte përfunduar. Viktima thotë se e mori edhe një kërcënim për mos ta hapur gojën. Polici V.M thotë se i kërkoi të mos e raportonte rastin në Inspektorat e as ta publikojë në media pasi, siç thotë P.Sh, “do t’ia bënte më zi”

30 vjeçari thotë se nga goditjet mori plagë të forta, që vështirësuan frymëmarrjen dhe i shkaktuan dhimbje të mëdha e të vazhdueshme për dy javë, gjë që ia pamundësojë të dilte në punën që e bënte deri një ditë më herët, si roje në një kompani private. Mungesa për 2 javë për shkak se ngeli i shtrirë, e la pa vend të punës. E lëndimet që P. i tregon përmes fotografive dhe thotë se u shkaktuan nga rrahja e policit, i ka konfirmuar edhe mjeku. Ai është kontrolluar në spital dhe ka marrë tretman, me ç’rast ka qëndruar i shtrirë për disa ditë në shtëpi.

E kur po bëhej gati të dhuronte përshëndetje në mbrëmjen e 30 janarit, kur P.Sh bëri zemrën gur për ta rrëfyer rrahjen brutale, potencoi se “edhe natën po tremna kur po flej, po më doket që po më kap polici prapë”.

Ndërkohë, disa raste të ngjashme janë publikuar në media, ku po zbulohen raste të dhunës brutale të Policisë ndaj qytetarëve, sidomos gjatë kohës së pandemisë. E gjitha kjo nisi kur në publik doli një video e para 3 vitesh, ku shihej polici Haris Kelmendi teksa rrah me shuplakë një të ri 18 vjeçar, gjë që solli edhe arrestimin e policit.

TË TJERA